E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Presidentit Topi në Samitin e katërt Botëror të Aleancës së Qytetërimeve

E nderuara Madhëria Juaj, Sheika Mozah bint Naser Al Missned,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi dhe privilegj i veçantë për mua të marr pjesë në Forumin e katërt Botëror të Aleancës së Qytetërimeve, i cili në këndvështrimin tim, është një platformë e çmuar që na jep mundësinë të shkëmbejmë ide të vyera mbi të ardhmen e popujve tanë në një moment kyç të historisë, gjatë të cilit disa nga vendet tona po ndryshojnë radikalisht.

Përfitoj këtu nga rasti për të falënderuar përzemërsisht Lartmadhërinë e Tij, Sheik Hamad bin Khalifa Al Thani, qeverinë e tij dhe gjithë popullin e Katarit për organizimin e shkëlqyer të këtij eventi dhe për mikpritjen e treguar.

Ne jemi me të drejtë krenarë për historinë e kulturën e lashtë të Shqipërisë, si dhe për traditën shekullore të harmonisë dhe mirëkuptimit të plotë ndërmjet katër feve kryesore të vendit tonë. Këto monumente shpirtërore të ekuilibrit tonë kombëtar nuk janë vënë asnjëherë në dyshim dhe dëshmojnë se një bashkëjetesë e denjë kulturore dhe ndërfetare mund të ekzistojë vetëm mbi bazën e respektit për diversitetin.

Ne jemi një popull i cili ka ndërtuar historinë e vet nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë përvetësimi besimesh apo kulturash të ndryshme, që prej paganizmit e deri në ditët tona, rrugëtim që e pasuroi brez pas brezi identitetin shqiptar e që bëri të mundur përjetësimin e tij në fjalët e vyera të rilindësit shqiptar Vaso Pasha “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Për shumicën e shqiptarëve, Aleanca e Qytetërimeve përbën një realitet të prekshëm. Parimet e kësaj nisme janë pjesë e natyrshme e trashëgimisë së traditave shqiptare, të cilat mbështeten në një bashkëjetesë afat-gjatë dhe të vyer ndërmjet feve kryesore ekzistuese, përgjatë historisë së lashtë dhe moderne.

Zonja dhe zotërinj,

Unë jam i bindur se ne të gjithë kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur në formësimin e një bote të re, ku diversiteti kulturor e fetar do të jenë guri i themelit për një paqe të qëndrueshme e për një të ardhme të begatë, ku vlerat universale të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë do të jenë kryefjala e jetës. Unë besoj se të gjithë bashkë mund ta ndërtojmë botën për të cilën ëndërrojmë.

Aleanca e Qytetërimeve po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet shoqërive, duke promovuar mirëkuptimin për të ndikuar në zbehjen e pabarazive që ekzistojnë sot në botë.

Bota e sotme është thelbësisht e ndryshme nga bota e shumë viteve më parë. Ne sot jetojmë në një shoqëri e cila gdhendet dita ditës nga realiteti numerik, i cili me shpejtësinë e dritës ndryshon jo vetëm mënyrën tonë të jetesës, por formëson mendjet dhe idetë tona, duke na bërë përherë e më të zgjuar, më të pasur e më të shëndetshëm.

Që prej një viti, ne të gjithë jemi dëshmitarë të fuqisë së internetit dhe të dhuntisë së tij për të mobilizuar forcën motore të shoqërive tona, rininë, në luftë për sigurimin e vlerave universale të demokracisë dhe respektit, vlera që janë të shtrenjta për ne e që na kanë mbledhur sot në këtë sallë. Është detyra jonë të kuptojmë forcat që udhëhoqën ndryshimin me emrin “Pranvera Arabe”, por që tashmë i kaloi kufijtë e pranverës. Ne duhet të marrim masa që t’i përgjigjemi këtij ndryshimi në mënyrë të tillë që të sigurojmë përparimin dhe zhvillimin e shoqërive tona, nëpërmjet respektit për diversitetin dhe kuriozitetit për të renë.

Aktualisht, Shqipëria ka ngritur gjithë infrastrukturën e duhur për vënien në zbatim të qëllimeve të Aleancës. Ajo ka miratuar Strategjinë e Dialogut Ndërkulturor, Planin dyvjeçar të Veprimit, si dhe ka ngritur një Komitet ndër-dikasterial për ecurinë e këtyre dokumenteve themelorë.

Strategjitë e lartpërmendura synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e projekteve në fushat e arsimit, emigracionit, medias, rinisë dhe një pjesëmarrje sa më të gjerë të gruas në jetën politiko-shoqërore të vendit.

Ne besojmë se rritja e profesionalizmit dhe kultivimit arsimor, fisnikëron njeriun dhe e bën të ndjeshëm ndaj tjetrit, qoftë ky nga një vend i njëjtë apo i ndryshëm me të. Aktualisht, në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i shkollave dhe universiteteve brenda vendit, dhe i të rinjve që studiojnë jashtë, në të gjitha kontinentet. Ata po bëhen në vazhdimësi ambasadorë të vlerave më të mira të popullit shqiptar. Dhe unë jam i sigurt, se kontributi i tyre në të ardhmen e vendit do të jetë i dukshëm dhe i prekshëm, duke sjellë larmishmërinë dhe më të mirën e kulturave të cilat kanë përthithur në këto vende, e do të kontribuojnë kështu në përparimin e Shqipërisë.

Programet e kualifikimit e shkëmbimit për të rinjtë dhe gratë në të gjitha vendet tona, si dhe promovimi i pjesëmarrjes së tyre në komunitet, shoqëri civile, vendim-marrje etj., do të përbënin mundësi shumë të mira për të kanalizuar forcën e tyre energjike në angazhime kontribuuese në komunitet, çka skalit përgjegjësinë dhe përgatitjen e tyre për shoqërinë, në të ardhmen.

Një problem tjetër shumë i rëndësishëm i Aleancës së Qytetërimeve dhe një preokupim mbarëbotëror për t’u zgjidhur me bashkëveprim e tolerancë është çështja e emigracionit.

Zonja e zotërinj,

Republika e Shqipërisë ka ndjekur dhe ndjek një politikë parimore në të mirë të paqes e sigurisë globale. Ajo ka marrëdhënie shumë të mira me SHBA-në, vendet e Bashkimit Evropian, me vendet fqinj, vendet arabe, etj.

Aktualisht, ne jemi anëtarë aktivë të NATO-s dhe jemi në procesin e integrimit të plotë evropian, ku edhe këto vlera të çmuara të Aleancës së Qytetërimeve, që diskutojmë sot në këtë konferencë, na bëjnë akoma më të ndërgjegjshëm për të ardhmen tonë.

Faktori shqiptar, i pranishëm në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, po luan një rol stabiliteti e sigurie, me frymë bashkëpunimi dhe ndër-këmbimi, politik, ekonomik e kulturor, pasi ne thellësisht besojmë se në këtë mënyrë mund të kontribuojmë në kapërcimin e mentaliteteve konfliktuale, drejt zvetënimit të nacionalizmave politiko-historike, për një të ardhme e mirëqenie më të mirë të popujve tanë, një frymë kjo që po përçohet pozitivisht edhe nga shteti më i ri në rajonin tonë, Republika e Kosovës.

Të nderuar miq,

Si anëtare e Grupit të Miqve, Shqipëria ka qenë dhe mbetet e angazhuar në veprimtarinë e OKB-së për ta kthyer Aleancën e Qytetërimeve në një mekanizëm efektiv për nxitjen e kulturës së vërtetë të paqes, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit reciprok ndërmjet popujve dhe qytetërimeve.

Nuk ka asnjë dyshim se nevoja për mobilizimin e qeverive tona, të politikë-bërësve, drejtuesve fetarë, segmenteve akademikë dhe shoqërisë civile mbeten një prioritet parësor për arritjen e këtij qëllimi madhor.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›