E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni hetimor PD shumicen numerike PS mazhorancen efektive

Kuvendi miraton shtyrjen e vendimit për hetimin e zgjedhjeve Patozi: Kërkesa e PS-së është e paligjshme. Ruçi: Po zvarrisni procesin

Parlamenti shtyn më datën 23 dhjetor vendimin për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Nga 132 deputetë të pranishëm në sallë, 126 prej tyre votuan pro shtyrjes së kërkesës deri javën e ardhshme në 23 dhjetor, 3 prej tyre votuan kundër dhe 4 deputetë nuk morën pjesë në votim. Tre deputetët socialistë, Bashkim Fino, Sajmir Tahiri dhe Dashamir Peza dhanë votën kundër shtyrjes së komisionit hetimor për datën 23 dhjetor. Sipas pikës së rinovuar, Partia Demokratike ka tetë anëtarë në komisionin hetimor, mes tyre edhe një nënkryetar, ndërsa Partia Socialiste ka 7 anëtarë, mes tyre edhe kryetarin e komisionit, vota e të cilit llogaritet sa tri vota.

Qëndrimi i mazhorancës

Mazhoranca do të vendosë javën e ardhshme për ngritjen e komisionit hetimor. Kërkesa e rinovuar e opozitës ka bërë që Kuvendi të caktojë datën jo në Konferencën e Kryetarëve, por ta marrë vetë situatën në dorë për të vendosur ngritjen e komisionit në mbledhjen e fundit të Parlamentit për vitin 2010. Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, mazhoranca është e interesuar për ngritjen e komisionit, për t’i hequr PS-së “alibinë” e saj për humbjen e zgjedhjeve. Sipas Patozit, aktiviteti i komisionit duhet të jetë brenda kornizave kushtetuese. “Unë mendoj ta bëjmë javën e ardhshme shqyrtimin e kësaj kërkese, në mënyrë që komisioni të ngrihet dhe zgjedhjet të hetohen. Javën e ardhshme të miratojmë komisionin parlamentar për hetim brenda kornizave kushtetuese”, tha Patozi. Drejtuesi i grupit parlamentar të PD-së nga ana tjetër provokoi të majtën duke thënë se “opozita nuk ka votat dhe nuk ka ndërmend të votojë, sepse është e kushtëzuar. Ju s’keni bërë asnjë tjetër për një vit e gjysmë veçse grevën e rreme, për të cilën ka edhe dëshmitarë okularë. Kërkesa juaj për komisionin hetimor është e paligjshme. Vetëm një deputet i papërgjegjshëm mund të votojë pro kësaj kërkese”, tha Patozi duke shtuar se “Komisioni do ngrihet, ne duam t’ju çarmatosim që të mos ngriheni si rrezik publik rrugëve të botës”.

Qëndrimi i opozitës

“Pengesa është mungesa e vullnetit politik për të zvarritur komisionin hetimor”, e hapi fjalën e tij kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi. Shefi i socialistëve brenda mureve të Kuvendit bëri me dije se duhen hetuar zgjedhjet e qershorit, por jo si hetimi në rastin e Shkodrës. “Do presim datën 23, por s’ka arsye për këtë zvarritje për komisionin hetimor”, tha Ruçi. Grupi i PS-së përballë provokacionit të demokratëve për kutitë e Shkodrës dhe vendimin e prokurorisë kërkuan nga e djathta të japë sqarime në të njëjtën formë siç bën për Shkodrën edhe për Ruzhdien. Ju nuk jeni ata që na jepni të drejtën e Komisionit Hetimor. Kreun e Komisionit Hetimor e jep Kushtetuta dhe e ka të përcaktuar atë në nenin 77”, tha nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle. “S’ka arsye që ngritja e komisionit të shtyhet për një javë, mund të ngrihet që sot. Por ne do presim pasi zvarritjet tuaja kanë trembur këdo, shqiptarët dhe europianët. Ju jo vetëm nuk dëgjoni opozitën, por nuk keni pranuar as rezolutën e BE”, tha Dokle. Deputeti Pandeli Majko, në fjalën e tij theksoi se sot kolegët e PD-së duhet të kishin shumë arsye për t’u skuqur. “Keni një vit e gjysmë që na thoni se jeni të gatshëm për ngritjen e komisionit hetimor, kurse tani çohet patozi nën buzëqeshjen e zonjës prapa tij duke thënë se kërkesa juaj është antikushtetuese”, tha Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›