Qeveria vulos shitjen e pronave te Dukatit
Protestat e dukatasve nuk kanë ndikuar aspak në planin e qeverisë për t’i dhënë në përdorim të një kompanie italiane qindra hektarë tokë për ndërtimin e një parku të prodhimit të energjisë nga era.
Në Fletoren Zyrtare nr. 161 të publikuar këto ditë nga Qendra e Publikimeve Zyrtare, është përfshirë vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 887, datë 3.11.2010, “Për disa shtesa e ndryshime në VKM nr. 1146, datë 5.8.2008 ‘për heqjen e disa ngastrave nga fondi pyjor dhe kullosor, që do të përdoren për vendosjen e anemometrave të nënstacioneve, për infrastrukturën lidhëse elektrike, për aerogjeneratorët, shtyllat e tensionit të lartë, si dhe për rrugët lidhëse me aerogjeneratorët’”.
Ky vendim vulos kështu marrëveshjen e nënshkruar tashmë mes qeverisë dhe kompanisë “Enpower Albania” sh.p.k. për ndërtimin e parkut eolik në tokat e pretenduara nga banorët e zonës së Dukatit, në gadishullin e Karaburunit dhe një pjesë të Llogorasë.
Në vendimin e fundit, që ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare, janë bërë disa ndryshime që konsistojnë në përcaktimin e saktë të sipërfaqeve të tokës që do të përdoren për parkun e “mullinjve me erë”, siç i quajnë dukatasit, si dhe janë vendosur disa detyrime për kompaninë që do të ndërtojë këtë park.
VendimiNë vendimin e fundit të qeverisë janë përcaktuar me tabela të gjitha sipërfaqet e tokës që do të jepen në përdorim të kompanisë së huaj, të cilat bëjnë pjesë në ekonomitë kullosore: Karaburun, Dukat-Tragjas-Shashicë, Shashicë-Gumenicë, Ana e Detit dhe në ekonomitë pyjore: brinjat e Fushës-Karaburun, Kume-Shashicë, Ana e Detit-Palas, parku pyjor kombëtar Llogora.
Në vendim janë shtuar edhe disa sipërfaqe të reja toke, që do të përdoren si sheshe të përkohshme për ndërtimin e objekteve në funksion të parkut eolik.
Ndërkohë, kompanisë “Enpower Albania”, sh.p.k., i është ngarkuar të përmirësojë një sipërfaqe prej 10,664 hektarë kullota, si dhe të pyllëzojë 0,563 hektarë me pyje, brenda dy viteve, nga fillimi i punimeve të ndërtimit të centralit, sipas ngastrave të përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.
Kësaj kompanie i është ngarkuar gjithashtu të rehabilitojë dhe të rivegjetojë brenda dy viteve pas përfundimit të ndërtimit të centralit të prodhimit të energjisë prej erës, sipërfaqet e lira, të cilat nuk do të jenë të përdorshme, të rehabilitojë një sipërfaqe të fondit pyjor dhe kullosor, të barabartë me atë që do të zërë ndërtimi i infrastrukturës së rrugëve lidhëse dhe të rehabilitojë të gjitha sipërfaqet e skarpateve të infrastrukturës rrugore që do të ndërtohet, duke i veshur ato me bimësi autoktone.
Reagimikuvendi i madh i Dukatit, që ka marrë përsipër të mbrojë pronat e pretenduara të komunitetit në Karaburun e Llogora, ka qenë fare i painformuar për vendimin e fundit të qeverisë, që ka vulosur ndërtimin e parkut eolik në zonë. Ekzistenca e vendimit në fjalë u mësua nga dukatasit vetëm pas interesimit të gazetës për një reagim të tyre në lidhje me këtë çështje. Anëtari i pleqësisë së kuvendit të Dukatit, Ediol Kulluri, deklaroi dje se menjëherë pas njohjes me vendimin e qeverisë është njoftuar një mbledhje urgjente e kuvendit. “Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që qeveria t’u japë personave të tretë pronat tona të trashëguara. Ne kemi thirrur një mbledhje të kuvendit të Dukatit, ku do të diskutojmë dhe do të marrim vendimet tona për reagimin ndaj këtij vendimi të qeverisë. Është kuvendi ai që do të vendosë, por unë mund t’ju siguroj se përpjekjet tona për të mbrojtur tokën e të parëve nuk do të ndalen”, tha Kulluri.