Ndryshon Kodi Rrugor, gjoba të ashpra, patenta me pikë
Shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Shkëlzen Alia, thotë se ndëshkime të rënda do ketë për alkoolistët, rripin e sigurimit, shpejtësinë dhe semaforët
TIRANË- Shifrat e larta të aksidenteve, në pjesën e tyre më të madhe me të vdekur, detyrojnë Ministrinë e Transporteve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të nisin punën për ndryshimin e Kodit Rrugor.
Ndryshimi pritet të prekë kryesisht dy drejtime të rëndësishme të tij, së pari në drejtim të ashpërsimit të gjobave ndaj drejtuesve të mjeteve që konstatohen me shkelje gjatë përdorimit të rrugës.
Një grup i përbashkët i Ministrisë së Transporteve dhe i Policisë së Shtetit, prej disa javësh po shohin alternativat e mundshme të modifikimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Gjobat ndaj shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor do të ashpërsohen, në bazë të ndryshimeve të pritshme.
Numri i lartë i aksidenteve automobilistike dhe i viktimave të shkaktuara prej tyre ka sjellë dhe nevojën e rishikimit të masave administrative për të gjithë ata drejtues të automjeteve që shkelin rregullat e sigurisë në rrugë, duke u bërë shkaktarë të aksidenteve.
Veç ashpërsimit të gjobave, një risi tjetër e ndryshimeve në Kodin Rrugor do të jetë edhe përfshirja e sistemit të penalizmit me heqjen e pikëve të patentës, siç është në vendet e Bashkimit Evropian.
Komisioni i përbashkët po përgatit ndryshimin e vlerës së gjobave ndaj shoferëve, ndryshim që do të sanksionohet edhe në Kodin Rrugor të Shqipërisë. Sipas shefit të Qarkullimit Rrugor dhe Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit , Shkëlzen Aliaj, ashpërsimi i gjobave ndaj shoferëve do të prekë pothuajse të gjitha llojet e shkeljeve administrative.
Kjo nismë u bë e ditur dje për "Shekullin", nga Aliaj, i cili pohoi se po punohet për përgatitjen e një drafti të posaçëm për ndryshimet e nevojshme në Kodin Rrugor.
"Specialistët e Qarkullimit Rrugor po përgatisin propozimet për ndryshimet në Kodin Rrugor që i takojnë Policisë së Shtetit dhe bëhet fjalë për rritjen e masave administrative për përdorimin e alkoolit, shpejtësisë jashtë normave të lejuara, vendosjes së rripit të sigurimit, kaskës mbrojtëse dhe abuzimeve të tjera"- u shpreh dje Aliaj.
Shefi i Qarkullimit Rrugor dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit pohoi dje se pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe përfshirja si masë ndëshkuese e heqjes së pikëve të patentës në rastet kur konstatohet që drejtuesi i automjetit ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Ky ndëshkim që pritet të përcaktohet edhe në amendimet e reja që do t'i bëhen Kodit do të vendoset për herë të parë si masë ndëshkuese për shoferët që bëhen shkaktarë të aksidenteve apo shkeljeve të tjera të rregullave të sigurisë rrugore. Një penalizim i tillë është sot pothuajse në të gjitha shtetet, e Evropës Perëndimore, ku përdoret sistemi i penalizmit të pikëve të patentës, që shkon deri në pezullimin e saj në rastet kur hiqen të gjitha pikët që përcaktohen në ligj.
Këto ndryshime po diskutohen nga specialistët përkatës në një komision të përbashkët midis dy ministrive të linjës, asaj të Brendshme dhe dikasterit të Transporteve, Telekomunikacionit dhe Punëve Publike. Ndryshimet mësohet se do të prekin edhe pjesë të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore.
Në 2009, 334 të vdekur nga aksidentet
Gjatë vitit 2009 në të gjithë vendin kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore 334 persona dhe 1309 persona janë plagosur, në 1316 aksidente të ndodhura gjithsej. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së kryeqytetit, aksidentet rrugore gjatë vitit 2009 shënuan 76 viktima, që kanë humbur jetën në 587 aksidente të ndodhura në qarkun e Tiranës.
Këtij numri i janë shtuar edhe 69 persona të plagosur rëndë dhe 501 të tjerë të plagosur lehtë. Në fund të muajit janar, kryeministri Berisha lëshoi kritika të ashpra për strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, duke e cilësuar numrin e lartë të aksidenteve si një përgjegjësi të policisë së shtetit.
Kryeministri i lëshoi kritikat në analizën e Policisë së Shtetit, duke u shprehur se ka një qëndrim indiferent ndaj zbatimit të ligjit dhe numri i aksidenteve rrugore mund të pësojë ulje nëse ka një ndërhyrje më efikase të strukturave përgjegjëse.
130 masa administrative gjatë 24 orëve të fundit
Kontrollet e policisë rrugore muajt e fundit janë shtuar në Qarkun e Tiranës, duke u marrë masa ndëshkuese çdo ditë, ndaj shoferëve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit në harkun kohor të 24 -orëve të fundit janë vendosur 130 gjoba dhe janë pezulluar 18 leje drejtimi, për shoferët që nuk kanë respektuar rregullat e qarkullimit në rrugë. Aksioni ka vazhduar edhe ndaj atyre shoferëve që nuk kanë shlyer gjobat që kanë marrë.
Gjobat janë vendosur për mos vendosje të rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, për shpejtësi jashtë normave të lejuara, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, si dhe për parkimet e gabuara.
Aksioni i Policisë Rrugore për gjobitjen e shoferëve që shkelin Kodin Rrugor po vazhdon prej disa muajsh dhe sipas drejtuesve të Policisë ka për qëllim të minimizojë ngjarjet aksidentale të shkaktuara nga lëvizjet e makinave.
Gëzim Hoxha eskpert autoteknik
Duhen studime të mirëfillta për sigurinë rrugore
Gëzim Hoxha, specialist i Transporteve, njëkohësish inxhier dhe ekspert autoteknik, në lidhje me ndryshimet e e Kodit Rrugor që po diskutohen nga një grup i përbashkët i Ministrisë së Transporteve, është skeptik në lidhje me ndryshimet. Sipas tij përpara se të nisin diskutimet mbi ndryshimet e mundshme të Kodit Rrugor, specialistët e këtyre dikastereve më parë duhet të bëjnë një studim të hollësishëm në lidhje me shkaqet e aksidenteve.
"Ata duhet më parë të hetojnë me kujdes aksidentet e ndodhura në të cilat ka pasur pasoja në jetën e njerëzve e madje edhe me vdekje të shumta. Në një pjesë të mirë të rrugëve, ka mungesa të konsiderueshem të sinjalistikës, ndërsa kushtet e rrugëve janë të një cilësie relativisht të dobët, ku asfalti nuk i përgjigjet stantarteve në të gjitha rastet",- thotë eksperti Hoxha.
Më tej sipas tij, veç studimit të rasteve të aksidenteve, specialistët përkatës duhet të kryejnë sondazhe të ndryshme edhe nëpërmjet intervistimit të drejtuesve të mjeteve, lidhur me problemet dhe shkaqet e mundshme që ata vërejnë në lidhje me aksidentet dhe shkeljet e ndryshme që ata vërejnë vetë.
"Një sondazh i tillë duhet të kryhet, pasi vetë Ministria e Transporteve dhe Policia e Shtetit, në tërësi nuk përfaqësojnë të gjithë masën e drejtuesve të automjeteve." Më tej ai pohon se është e nevojshme forcimi i kontrollit teknik të mjeteve, rritja e standarteve dhe e sigurisë në rrugë nëpërmjet përmirësimit të sinjalistikës, cilësisë së rrugës, dhe elementëve të tjerë.
"Para pak ditësh, në një takim i Ministrisë së Transporteve i Shëndetësisë dhe i Policisë së Shtetit, lidhur me aksidentet, nuk kishte asnjë përfaqësues nga Shoqëria Civile, ndonëse kontributi i kësaj të fundit ndonjëherë është shumë herë më i rëndësishëm se organet dhe institucionet shtetërore- tha Hoxha.
Mit'hat Tola ish- oficer Policisë Rrugore në lirim
Ndryshimet të vonuara, duhen drastike
Ish- drejtuesi i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Mithat Tola, tha dje për "Shekullin" se ndryshimet janë të vonuara. "Ato duhet të ishin bërë shumë kohë më parë.
Mund të them se fqinjët tanë, masat dhe ndëshkimet administrative ndaj shkelësve të rregulllave të qarkullimit rrugor, i kanë shumë herë më të ashpra se sa ne. Mund të them se masat tonat ndëshkuese janë tërësisht qesharake".
Tola pohon se gjoba, e për shkelje të ndryshme në rrugë, janë jashtëzakonisht të larta. Sipas tij, mungesa e rripit të sigurimit tek drejtuesit e mjeteve, apo pasagjerët kap shifrën e 100 eurove. Po kështu ai pohon se masat e tjera ndëshkuese janë edhe më të rënda lidhur me shkelje të tilla si parakalimi i gabuar apo drejtimi i mjetit në gjendje të dehur.
"Mendoj se veç masave ndëshkuese financiare, në mënyrë emergjente ne duhet të fusim sistemin me pikëzim të lejeve të drejtimit, ashtu siç e kanë thuajse të gjithë vendet e Europës. Nëse drejtuesi i një mjeti, do t'i hiqeshin pikët në mënyrë periodike për shkelje të caktuara, do të kishte edhe një lloj frenimi në drejtim të shkeljeve të ndryshme, si alkooli, semafori, shpejtësia etj."
Më tej ai pohon se për këët qëllim kërkohet krijimi i një baze të dhënash, për çdo shofer ndëshkimet që ai ka marrë, penalizmet dhe gjobat, duke bërë që polici në çdo moment të jetë i informuar për një drejtues mjeti të cilit i konstaton shkelje Tola pohon se aktualisht ne kemi në fuqi një Kodin Rrugor të miratuar në vitin 1992, të kopjuar nga ai italian, por sipas tij Kodi italian aktual nuk ngjan aspak me atë të vitit 1992, për shkak se ai është përmirësuar disa herë, duke ia përshtatur ndryshimeve të infrastrukturës dhe përparimit të teknologjisë.