E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni hetimor, mundësia e opozitës për t’u shkëputur nga nekropolitika

Kreu i qeverisë Sali Berisha ka ftuar dje opozitën që në kuadër të transparencës krahas hetimit të filluar tashmë nga Prokuroria e Përgjithshme, të shfrytëzojë të drejtën kushtetuese për të ngritur një komisionit të posaçëm parlamentar hetimor në lidhje me shkaqet e tragjedisë së fundjavës së kaluar në fshatin Gërdec. Gjatë interpelancës, kryeministri Berisha reagoi ndaj akuzave të kryetares së grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj, e cila iu drejtuar kryeministrit duke e konsideruar si përgjegjës të ngjarjes. Leskaj theksoi se “ju duhet te dini se detyra e një qeverie është siguria e jetës së qytetarëve”. “Nuk mund të rrinin ende ulur në atë karrige pasi keni shkaktuar një tragjedi të madhe që u ka marrë jetën njerëzve të pafajshëm. E gjithë Shqipëria kërkon të bëni atë ç’ka bëri edhe Ministri i Mbrojtjes” - tha ajo. Ndërkaq, kryeministri Berisha theksoi se për qëllimin kritik të opozitës shpreh mirëkuptim të plotë, por nuk mund të pajtohem që ju po i shfrytëzoni për politikë këto ngjarje. “Prisja të bëheshin vlerësime për atë pjesë. Lidhur me kritikat, mblidhni firmat paraqitni mocionin, unë jam i gatshëm. Dhe faktoni, në mënyrën më të përgjegjshme çdo deklaratë të bërë nga unë që nuk qëndron. Me vjen keq, janë ligje që i keni bërë ju dhe keni përjashtuar kryeministrin nga vendndodhjet. Nuk është e drejtë të citoni vendimin si kontraktues të ministrisë, vendimi është i këshillit të Ministrave. Vendimi thotë që çmontimi të kryhet nën mbikëqyrjen e forcave ushtarake. Ju po spekuloni, kam thënë se ministria është e detyruar të zbatojë këtë vendim. Unë nuk bëj prokurorin, po ju them se po merrem intensivisht në një kuadër ligjor të menaxhimit të krizave”, tha kryeministri. Më tej ai vuri në dukje se qytetarët do të kërkonin që kryetari juaj të bëhej avokati i tyre, lidhur me dëmet materiale të zonës. “Ju nuk po bëni asgjë, thjesht po spekuloni. Ju nuk doni përgjegjësi, ju doni akuzat. Prokuroria po heton dhe do të ketë mundësi të hapura për të hetuar në shumë drejtime. Jam dakord që mund të jetë korrupsionin në mes, por ky korrupsion ka vuajtur se ju mbronit Sollakun e krimit në të. Ju jam shumë mirënjohës, por duke rrëmuar do të nxirrni atë që nuk dëshironi, vazhdoni me spekulimet tuaja të pamoralshme dhe arbitrare”- tha më tej Berisha.
Berisha: Nuk kam ditur se ekziston Gërdeci, nuk kam qenë firmosësi i kontratës/Seanca plenare e Kuvendit nisi dje me debatet mbi ngjarjen e ndodhur në fshatin Gërdec, më 15 mars. Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë nisi fillimisht duke mbajtur një minutë heshtje në respekt të të gjithë viktimave dhe të prekurve të tragjedise së Gerdecit. Në seancën e parë pas tragjedisë së Gërdecit, kryeparlamentarja Topalli ka ftuar deputetet për një minutë heshtje dhe më pas është vazhduar me rendin e ditës. Në këtë seancë Kryeministri Sali Berisha informoi parlamentin për ngjarjen dhe masat e marra nga qeveria në përballimin e pasojave të saj. Pasi mori fjalën në Kuvend, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit mund të ketë ndodhur për shkaqe të mirëfillta njerëzore dhe jo për shkaqe natyrore. Përpara deputetëve të kuvendit ai e cilësoi tragjedinë e Gërdecit një katastrofë të tmerrshme. “Me 15 mars në mesdite Shqipëria përjetoi në zonën e Bashkisë së Vorës një katastrofë të tmerrshme, të shoqëruar me plagosje dhe me humbje të konsiderueshme jetë njerëzish. Janë plagosur me qindra qytetarë të kësaj zone duke u shoqëruar edhe me dëme të shumta materiale. Kjo katastrofë nuk erdhi nga shkaqe natyrore por erdhi nga shkaqe të mirëfillta njerëzore, gjë e cila e bën peshën e saj edhe më të rëndë. Shpërthimi ishte një eksplozion i fuqive të papara ndonjëherë për vendin. Shpërthimi ka krijuar një katastrofë me një çmim shumë të shtrenjtë në jetë njerëzish dhe në shëndetet e njerëzve”, kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë, deklaroi se vendimin për çmontimin e armëve e solli Ministria e Mbrojtjes, si dikaster i mbrojtjes dhe me kompetenca të plota dhe Këshilli i Ministrave miratoi këtë vendim në datën 14. 03. 2007. “Kjo është një praktikë universale që përdoret edhe nga vendet e tjera anëtare të NATO-s, për të plotësuar standardet bashkëkohore. Nuk mund të pranoj të trillohet përmbajtja e vendimit, vendimi është një detyrimi i qeverive në zbatim të ligjit të Forcave të Armatosura dhe të përcaktohen rregullat, rregullat janë të paraqitura. Nuk kam ditur se ekziston Gërdeci, nuk kam qenë firmosësi i Gërdecit, nuk jam unë që firmosa kontratën. Nëse fakton dot të kundërtën e saj, por s’mund të faktoni asgjë. Prandaj i them Kryetarit tuaj, në këto momente do të ishte në dinjitetin e tij që të mobilizonte ndihma nga bashkia kryesore e vendit, për bashkinë fqinje të rrënuar, t’i bënte thirrje biznesit kryeqytetas për ndihmë ndaj Vorës. Ta harroni se mund të më ngarkoni mua ato që nuk mi atribuon ligji”, shtoi më tej Berisha. Ndërkaq, lidhur me përgjegjësinë e Kryeministrit në raport me strukturat e tjera ushtarake në kompetencë kontrolluese dhe monitoruese, ku rolin kryesor e kanë kryesisht strukturat ushtarake dhe Presidenti i Republikës, Kryeministri Berisha tha në Kuvend se “kam kërkuar ndryshimin e ligjit për ushtrinë, që qeveria të ketë rolin e saj, pasi ushtria ka një problem madhor, ka pronat dhe vendosjet, se këto prona po shkatërrohen”. Duke iu përgjigjur akuzave të Ramës për dijeninë e kreut të qeverisë në këtë çështje, Berisha theksoi duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, “Kryetari juaj, po përdor trillime”. “Unë Sali Berisha deklaroj para parlamenti se nuk kam patur asnjë dijeni për poligonin e Gërdecit sepse ligjet që ju keni bërë vetë, përjashtojnë kryeministrin dhe futjen e kryeministrit në ushtri. Ishte reparti i tankeve dhe unë ju them që jeni fatkeq që nuk pyesni ish-kryeministrat tuaj”, deklaroi kryeministri Berisha. Gjithashtu kreu i qeverisë shtoi se as Presidenti s’ka pasur asnjë dijeni se reparti i tankeve është shndërruar në poligon. Sipas tij, në prani të ndërkombëtarëve, dy probleme janë ngritur si më kryesoret, problemi i parë depot, të cilët kanë pohuar se janë një rrezik serioz për vendin dhe se duhen evituar para vitit 2010, se nuk i nevojiten vendit tonë. Sipas kryeministri, qeveria do të përdorë të gjitha fondet për të shkatërruar municionet e rrezikshme në të gjithë vendin. “Sot para ligjit janë vënë përgjegjësit kryesorë të sipërmarrjeve, persona që në tërësinë e tyre dinë çdo gjë. Prokuroria e përgjithshme do të hetojë në ç’do drejtim dhe pa asnjë lloj paanshmërie. Kjo është e para fatkeqësi, që ka nisur një hetim të fuqishëm pasi nuk kemi më prokuror të kapur nga politika, por një prokurori që do të hetojë në mënyrë të pavarur. Nëse mendoni ndryshe urdhëroni dhe krijoni komision”, shtoi ndër të tjera në vijim kreu i qeverisë Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›