E Diel, 1 Nëntor 2026

Pension familjeve të viktimave, rimbursim të bizneseve dhe shtëpive

Kryeministri Sali Berisha i propozoi dje qeverisë që familjeve të viktimave nga ngjarja në Gërdec t’u lidhet pension për të humburit e tyre, njëlloj si për ata që bien në detyrë në punë. “Kjo është e domosdoshme në mënyrë që të paktën materialisht të mund të lehtësojmë jetën e tyre. Është e domosdoshme, që sikundër deri tani, të shfrytëzohet çdo minutë e kësaj situate për të ndihmuar qytetarët dhe për të nxjerrë zonën nga pasojat e kësaj fatkeqësie”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Ne mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, kryeministri bëri të ditur se “me vendim qarkullues është vendosur të akordojmë një ndihmë të parë për familjet e viktimave prej 2 milion lekë të reja”. Përsa i përket dëmeve të shkaktuara nga ngjarja në Gërdec, kryeministri theksoi se një problem të veçantë përbëjnë bizneset, të cilat duhet të rindërtohen me shpejtësinë më të madhe të mundshme. “Qeveria do të rimbursojë të gjitha dëmet, paratë, kryefamiljarëve të familjeve të dëmtuara, sapo të përfundojë vlerësimi. Organi tatimor dhe Ministria e Financave kanë përpunuar skemën e përllogaritjes së dëmit të biznesit, duke u bazuar në investimet e deklaruara të tyre dhe do t’u rimbursohen shumat e nevojshme për shumat e humbura, me qëllim ngritjen sa më të shpejtë të biznesit të tyre”, tha Kryeministri. Sipas tij, qeveria është e vendosur të veprojë në mënyrën më energjike, për kapërcimin e situatës pas shpërthimit në Gërdec. Kryeministri tha se ndërhyrja energjike nënkupton së pari ndihmë të gjithanshme për familjet e dëmtuara. “Janë 400 persona të vendosur në kovaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që çadrat janë gati për t’u vendosur pranë banesave”, deklaroi Berisha. Kryeministri vuri në dukje se “Kryetari i Bashkisë së Vorës, së bashku me kryepleqtë e fshatrave, kanë bërë takime të gjera komunitare dhe po predominon mendimi se mënyra më e mirë për të riparuar është akordimi direkt i fondeve që familjet të ndërtojnë shtëpitë e tyre”. Përsa u takon ndërtimit të shtëpive, Berisha deklaroi se kompani ndërtimi kanë treguar gatishmëri për të dhënë kontributin e tyre për të ndërtuar vetëm me nivel kostoje dhe unë i falënderoj për ofertat që kanë bërë. Më tej, ai vuri ne dukje se “disa prej tyre kanë qenë të siguruara, dhe kompanitë e sigurimit kanë treguar gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur detyrimeve që vjen nga sigurimi, por ne do të bëjmë çdo përpjekje për rindërtimin sa më të shpejtë të kësaj zone thellësisht të dëmtuar”. Ndërkaq, kreu i qeverisë vuri në dukje se Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, sëbashku me kryetarin e Bashkisë, do të bëjnë përkujdesje më të madhe për fëmijët. Kryeministri theksoi që nëse është e nevojshme të improvizohen kopshte ditore e javore, ndërsa ata fëmijë, të cilët për shkak të humbjes së familjarëve kanë mbetur të vetmuar, apo gjysmë të vetmuar, do të merren në qendrat e kujdesit të fëmijëve. Duke u ndalur në shkollimin e fëmijëve, Kryeministri tha se “Ministria e Arsimit duhet të stabilizojë shkollat, dhe ka përfunduar preventivat për këtë”. “Duhet që shkolla të normalizohet sa më shpejt”, bëri të ditur Berisha. Ndërsa kërkoi nga autoritetet vendore dhe ministritë përkatëse që veprimi të jetë energjik, Kryeministri Berisha tha se “të moshuarit, të cilët kanë humbur mbështetjen, duhet të sistemohen në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›