Komisioni hetimor për TIMS, miratohet marrja e dëshmive me dyer të mbyllura

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Pas rreth 3 orë debatesh në komisionin hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS”, anëtarët miratuan marrjen e dëshmive me dyer të mbyllura.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u paraqit në komision për të dhënë dëshminë e tij me dyer të mbyllura.
Mbledhja e sotme ku në rendin e ditës është thirrur të dëshmojnë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça nisi me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Pikënisja e debatit u bë kërkesa e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura pasi informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).
Debatet kanë nisur në momentin që kryetari i komisionit, Ervin Salianji ka refuzuar për të hedhur në votim kërkesën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla për të zhvilluar mbledhje me dyer të mbyllura.
“Nuk jemi në kushtet kur komisioni do shqyrtojë ndonjë dokument shtetëror. Dokumentet janë administruar dhe nuk ka sekret”, tha Salianji.
Ky vendim është kundërshtuar nga nënkryetari i komisionit, Toni Gogu i cili u shpreh se, “ky komision është vend pune e jo spektakli”.
Gogu i ka kërkuar kryetarit Ervin Salianji të hedhë në votim kërkesën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar.
“Spektakli i këtij komisioni janë vendimet e komisionit jo sa herë del ti në televizor. Hidh në votim kërkesën siç të detyron ligji sepse nuk e mbart ti pushtetin e komisionit. Te je një i parë në mes të barabartëve, drejton mbledhjet e këtij komisioni e thërret mbledhjen e këtij komisioni. Për kërkesën e Ballës duhet të informosh komisionin dhe ta hedhësh në votim”, tha Gogu.
Ndërkaq, Salianji lexoi edhe miratimin e Prokurorisë ndaj kërkesës për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar të TIMS të ish-drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, nën hetim.
Në përgjigjen e Prokurorisë, ndër të tjera thuhet se për shkak të ruajtjes së hetimit, marrja në pyetje e Muçës, do të duhet të bëhen në disa pjesë, pa praninë e medieve.
Pas një orë debatesh pa arritur të gjejnë dakordësi, anëtarët e mazhorancës u larguan nga mbledhja e komisionit hetimor.
Komisioni hetimor TIMS, foto: Florian Abazaj 1 nga 4