E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS miratojnë me konsensus ndryshimet në Kodin Rrugor

Projektligji nuk do mund të kalojë sot për miratim në seancë, pasi të gjitha ndryshimet që janë paraqitur në Kodin Rrugor do të kalojnë në grup

Mazhoranca dhe opozita kanë mundur të gjejnë së fundi konsensusin edhe në komisionin e Ligjeve. Ashtu si në komisionin e Ekonomisë dhe atë të Veprimtarisë Prodhuese një ditë më parë, dje edhe komisioni i Ligjeve ka votuar me konsensus një ndryshim të paraqitur nga Ministria e Transporteve për Kodin Rrugor, duke hequr kështu çdo hije dyshimi mbi zbatimin e marrëveshjes së arritur mes pozitës dhe opozitës pak ditë më parë. Pavarësisht kësaj, palët e përfaqësuara në këtë komision kanë debatuar gjatë dhe ndonjëherë edhe me tone të larta për thelbin e ndryshimeve që paraqiteshin për miratim.

Komisioni

Komisioni i Ligjeve është mbledhur sërish dje për të diskutuar për Kodin Rrugor. Por kësaj here ndryshe nga mbledhja e së martës, për një nismë të re që nuk kishte të bënte me autoshkollat, por me vendosjen e aparatit të tahografit dixhital në makinat e transportit të mallrave dhe pasagjerëve me tonazh të lartë. Bëhet fjalë faktikisht për një nismë që para pak kohësh u diskutua edhe njëherë në komisionin e Ligjeve, ndaj dje jo të dyja palët shfaqën të njëjtin interes për ridiskutimin e tij. Kështu, të djathtët duke qenë të njohur që më parë me ndryshimet e paraqitura, pasi i kishin diskutuar njëherë ato, nuk u përfshinë në debatin e djeshëm të këtij projektligji. Krejt e kundërta ndodhi me opozitën e cila, për të treguar se jo pa qëllim kishte refuzuar deri më tani të miratonte ndryshimet e paraqitura në ligjet me 3/5-at, është thelluar jo pak në pyetjet që ka shtruar për përgjigje ashtu edhe në diskutimet e bëra për projektligjin në rend të ditës. Kjo tejzgjatje e tyre në trajtimin e objektit të projektligjit ka shkaktuar debate në sallë, ku për disa herë me radhë deputetë të mazhorancës kanë kërkuar që të mos kërkohet të vonohet me qëllim miratimi i një ndryshimi të thjeshtë. Por për të majtët nuk kishte arsye për të shpejtuar, pasi sipas tyre aparatura që kërkohet të vendoset, së pari ndikon në sigurinë e jetës dhe së dyti, sjell pasoja ekonomike për poseduesit e këtyre automjeteve. Kështu, nënkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj dhe deputeti tjetër socialist Sajmir Tahiri, kanë ngritur shqetësimin se vlera prej 200 deri në 400 euro që kushton një aparat i tillë tahografi dixhital mund të jetë një barrë e rëndë për shumë posedues mjetesh. Nuk kanë qenë në të njëjtin mendim të djathtët, të cilët me anë të kryetarit Rusmali kanë theksuar se siguria e jetës është më e vlefshme se 200 euro.

Votimi

Pavarësisht këtyre debateve, në fund deputetët e të dy krahëve kanë ngritur duart duke votuar pro ndryshimit të paraqitur për miratim. Projektligji i paraqitur është miratuar me konsensus, megjithëse edhe njëherë nënkryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj ka kërkuar që komisioni në mënyrë zyrtare t’u drejtohet ministrive të linjës për t’i pyetur nëse kanë apo jo ndryshime të tjera para se këto projektligje të miratohen në seancë. Pavarësisht se projektligji i djeshëm u miratua me konsensus, ai nuk do mund të kalojë sot për miratim në seancë, pasi të gjitha ndryshimet që janë paraqitur në Kodin Rrugor do të kalojnë në grup.

Debati te ligjet, Sula-Finos: Nano ju bëri milionerë dhe e hoqët

Vasilika Hysi: Ju keni mikrofonin aty, por kjo nuk do të thotë që të fyeni anëtarët e opozitës kur ne bëjmë pyetje dhe të thoni se ne nuk jemi për sigurinë e jetës. Sesa është kjo mazhorancë e interesuar për sigurinë e jetës, e dimë të gjithë, e dimë me Gërdecin, e dimë me Bulqizën, e dimë me sigurinë e rrugëve e të tjera si këto.

Ilir Rusmali: Vasilika, meqë ti hape mikrofonin, unë po të them se unë thashë që është një masë sigurie shumë e fortë për të mbrojtur jetët e njerëzve. Jetët e njerëzve Komiteti Helsinkit Shqiptar nuk i shet kurrë asnjëherë sa të jetë jeta për 200 euro. Kaq të thashë ty, për të të futur ty në lëndën e këtij diskutimi.

Vasilika Hysi: Sa e interesuar jam unë për këtë çështje ti nuk je kurrë, se me ka vdekur vëllai i vetëm nga aksidenti.

Dashnor Sula: Po katër orë debat për një aparaturë tahografi, s’ka kuptim…

Pandeli Majko: Ti Dash rri urtë, se ti do për vete tahograf në fushë të futbollit.

Dashnor Sula: Po s’ka kuptim të bëni sikur jeni shumë të interesuar për këtë çështje dhe bëni të njëjtën pyetje disa herë.

Hysi: Dash, ça paske sot, apo ke ndeshje futbolli?

Bashkim Fino: Ça ndeshje, ai është dënuar 8 javë, por kështu si po bën rrezik do dënohet dhe këtu.

Fatmir Xhafaj: Dëshiroj që të them një gjë që ka të bëjë me funksionimin e komisioneve në raport me ne. Duhet të jeni të kujdesshëm kur flasin kolegët, që as mos t’i ndërpresim, as mos t’i fyejmë reciprokisht, sepse kjo nuk është në etikën e një parlamentari.

Edi Paloka: Nuk do merremi me takografin, se besoj se zbërthyem mjaftueshëm. Por ajo që tha Xhafaj lidhur me vonesën dhe domosdoshmërinë e këtij projektligji, mendoj se e dimë të gjithë nga ka ardhur mungesa. Se ne këtë e kemi diskutuara edhe një herë tjetër, dhe vetëm për mungesë të dëshirës së opozitës e kemi këtë mungesë. Sa për fyerje, direkte apo indirekte të kolegëve, unë mendoj se është më fyese kjo lloj stërzgjatje, se unë nuk e di nëse kolegët e opozitës donin të tregonin se ishin vërtet të interesuar për këtë ligj dhe ta zbërthejnë. Se vetëm për numrin e këmbës së shoferëve s’u pyetën ekspertët. Nëse do të jemi seriozë, le të jemi seriozë.

Bashkim Fino: Nuk do diskutoja në fakt, po më bëri për vete diskutimi i zotit Paloka. Ju vini në këtë komision, edhe Dashi natyrisht. Ju vini në këtë komision me dëshirën për të kaluar sa më shpejt këtë ligj.

Dashnor Sula: Ju s’keni me çfarë të kaloni kohën më duket.

Fino: Jo, jo. Kemi me çfarë ta kalojmë kohën. Ne s’do merremi me grushta, mor burr tani, si puna jote. A mund të flas?

Sula: Më mirë më grushta brenda fushës, se të merresh me gjëra të tjera dhe t’u fusësh duart në xhepat e të tjerëve.

Fino: Jo, po ky është thelbi i diskutimit. Ju vini këtu me idenë që të mbarojë mbledhja për 5 minuta, aq më tepër që është me 3/5. Ndërsa ne vijmë të përgatitur, vijmë edhe për një gjë të përgatitur, se është një ligj me 3/5, që nuk është e thënë që të kalojë sa më shpejt të jetë e mundur, përjashto kohën politike për të cilën ne s’kemi dhënë konsensusin.

Sula: Inshallah mbani fjalën.

Fino: Po si ty s’jam unë, o Dash. Atë që e themi e bëjmë ne. Ne jemi burra e mbajmë fjalën. Ti po nuk merresh vesh me kë je, me Bamirin apo me këta. S’e kuptoj? Një herë je me Bamirin edhe ia fut Sali Shehut

Dashnor Sula: Kujt?

Bashkim Fino: Atij pra, që e ke pas koleg e shok, e mik këtu tërë kohën.

Dashnor Sula: Jo, po si ju s’jam unë, që e patët kryetar Fatos Nanon edhe e përzutë. Si puna juaj që ju bëri milionerë Fatos Nano edhe ia futët pastaj.

Bashkim Fino: Jo po si puna jote me Bamirin dhe me Sali Shehun. Nuk ka performancë ai për të drejtuar KLSH-në. Po ti e ke pas koleg, e ke pas shok. Ne e hoqëm Fatosin, hiqeni dhe ju Saliun.

Dashnor Sula: Ore Saliu të rrijë aty dhe do rrijë e do të përcjellë ty e ndonjë tjetër. Saliu aty është.

Fino: Ne Fatosin e hoqëm, por s’ia futëm

Sula: Mosmirënjohjen e keni zakon ju dhe të futmen e gishtit.

Fino: Si puna jote me Saliun, s’ka performancë ai për të drejtuar KLSH-në.

Sula: Ulu, ulu, qetësohu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›