E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë miraton heqjen e taksës prej 10% për fermerët që shesin tokën

TIRANË- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën ndryshimin në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat", që parashikon heqjen e tatimit prej 10% për fermerin që shet tokën.

Zv/ministri i Financave Alfred Rushaj sqaroi para deputetëve se kjo reformë i adresohet nxitjes së bashkimit të tokave bujqësore, me qëllim krijimin e kooperativave apo fermave bujqësore, si dhe të futen në skemën e subvencioneve.

"Në ligjin për "Për tatimin mbi të ardhurat" të ndryshuar, propozohen si të ardhura të përjashtuara, të ardhurat që përfiton një fermer i regjistruar, nga shitja e tokës bujqësore me sipërfaqe mbi 1000 m2, te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor dhe që plotëson kushtet e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave për mos ndryshimin e destinacionit të tokës së blerë", tha Rushaj. Sipas tij, efekti në buxhet i këtyre ndryshimeve llogaritet rreth 300 milionë lekë.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›