E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata e Policisë: Krimi po na merr jetën, shteti nuk na përgjigjet me paga më të mira

TIRANË- Sindikata e Policisë së Shtetit shpreh shqetësimin se krimi nuk po kursen as jetët e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Nëpërmjet një deklarate për mediat, sindikata nënvizon se uniformat blu po punojnë në kushte pune mjaft të vështira materiale e financiare, në raport me krimin dhe kriminelët.

“Nisur nga analiza e situatës aktuale, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit vëren me shqetësim se krimi nuk po kursen as jetët e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Vrasjet e kryekomisarëve në Durrës e Tiranë e kanë çuar numrin e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës e për shkak të saj në 251veta e mbi 300 të plagosur.Punonjësit e policisë po paguajnë një çmim mjaft të lartë për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike. Këto forca po punojnë në kushte pune mjaft të vështira materiale e financiare, në raport me krimin dhe kriminelët, të cilët posedojnë fuqi financiare, mjete, armatim e pajisje speciale edhe më të sofistikuara se ato të policisë”, thuhet në deklaratën për media.

Sindikata e Puunonjësve të Policisë së Shtetit nënvizon se qeveria, nuk ka diskutuar për problemet e policisë në një kohë që pagat e strukturave të tjera të adinistratës publike janë rritur ndjeshëm, ndërsa që uniformat blu që nga 2008 nuk marrin pagesë për ushqimin.

“Punonjësit e Policisë, çdo ditë po rrezikojnë jetën e tyre, për zbatimin e detyrave të rendit e të sigurisë publike, pa kontrata të sigurimit të jetës. Sipas paragrafit 32 të Kodit Europian të Etikës për Policinë”, policia ka të drejtë që të ketë një pagë dhe siguri shoqërore të përshtatshme, si dhe masa speciale për shëndetin dhe siguri për shkak të natyrës së veçantë të punës së policisë”. Po ashtu edhe në nenin 88 të Ligjit të Policisë së Shtetit përcaktohet se “punonjësi i policisë ka përparësi në trajtimin në pagë për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë”, ndërkohë që trajtimi financiar aktual nga shteti i punonjësve të policisë nuk i përgjigjet këtyre detyrimeve. Qeveria, asnjëherë nuk është ndalur seriozisht që të diskutojë me sindikatën problemet e policisë për masat drastike të ndërmarra ndaj saj, të cilat si rezultat i krizës ekonomike, e kanë rënduar situatën në aspektin social e profesional. Reduktimi drastik i fondeve, përtej vendosjes së besimit dhe dhënies së një drite shprese për punonjësit e policisë, po agravon disbalancat sociale dhe krijojnë më tepër padrejtësi, të cilat shtojnë përdorimin e dhunës “në emër e në zbatim të ligjit” dhe rrisin ndjeshëm pasigurinë e qytetarëve. Niveli i stresit në të cilin punojnë forcat e rendit është shumë i lartë për të pasur një përformancë dinjitoze në zbatimin e detyrës. Punonjësi i policisë, përveç pasigurisë që ka për jetën, i shtohet dhe presioni psikologjik i eprorëve për të ruajtur vendet e punës nga ndonjë transferim i mundshëm apo lirim i padrejtë, të cilat janë bërë një sëmundje e keqe në radhët e policisë. Mbi 70% e punonjësve janë transferuar brenda një viti, shifër kjo mjaft e lartë për një organizatë policie", thuhet nder të tjera në deklaratë. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›