E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Të forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar për ruajtjen e rezervave ujore

TIRANË- Ministrit i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave Fatmir Mediu, gjatë fjalës së mbajtur në një aktivitet për reformën në kuadër të ligjit për rezervat e burimeve ujore, vlerësoi punën që ky institucion po bën për reformimin e plotë të legjislacionit mjedisor në vend dhe përputhjen e tij me legjislacionin evropian. Në këtë kuadër, Mediu e cilësoi si shumë të rëndësishëm miratimin në Parlament të Ligjit për “Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore” , ligj i cili sic tha ai, transpozon një nga Direktivat më të rëndësishme të BE, Direktivën Kuadër të Ujit.

“Miratimi i ligjit mbi Menaxhimin e Integruar te Burimeve Ujore, bëhet edhe më i rëndësishëm duke ditur që Shqipëria është e pasur në burime ujore, me 7 lumenj të mëdhenj, me liqene, me ujëra të tjera sipërfaqesore e nëntokësore dhe me rezerva të përtëritshme që arrijnë në rreth 13 300 m3 për person në vit, duke qenë një nga vendet më të pasur në rajon e më gjerë” theksoi ministri Mediu gjatë fjalës së tij.

Sipas tij ndër problemet kryesore që përmbush ky ligj, si dhe përpjekjet e tjera jo të pakta të Qeverisë në këtë fushë, është që të adresojë disa nga problematikat që ka ky sector si mbivendosjen e detyrave apo përgjegjësive, menaxhimin e fragmentarizuar të burimeve ujore, mungesën e Menaxhimit të Integruar të baseneve lumore etj.

“Zgjidhjet e këtyre problemeve do të na çojnë drejt qëllimit të Ligjit të ri - mbrojtjes dhe përmirësimit të mjedisit ujor si dhe sigurimit, ruajtjes, zhvillimit dhe shfrytëzimit sa më racional të këtyre burimeve ujore”, tha ai.

Mediu sygjeroi se Shqipëria duhet të integrojë dhe politika bilaterale e multilaterale për shkak se disa nga basenet e saj lumore si dhe liqenet e saj janë të ndara me vendet fqinjë.

“Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, rajonal dhe ndërkufitar, në fushën e ruajtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm të rezervave ujore, ka qenë dhe mbetet një prioritet i politikave të MMPAU. Zbatimi i plotë në praktikë, vetëm i Direktivës Kuadër të Ujit, është vlerësuar se do të kërkojë rreth 5 vjet dhe do të kushtojë afërsisht 5.4 milion Euro kosto të njëherëshme dhe investime me vlerë 524,000 Euro kosto korrente në vit, gje e cila do të bëjë të mundur që të arrihet përputhshmëria e plotë me kërkesat e DKU-së”, theksoi mediu gjatë fjalës së tij.

Në fund, Mediu siguroi se Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është e hapur për të dhënë ndihmesën e saj në çdo projekt që synon mbështetjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm dhe jetik për të gjithë ne.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›