E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ekonomisë voton kundër nenit të gjobave

Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka miratuar dje me ndryshime projektligjin për procedurat tatimore. Duke marrë shkas nga shfuqizimi që i bëri Gjykata Kushtetuese nenit 107 për parapagimin e gjobës në masën 15 për qind, deputetë të komisionit votuan kundër propozimit të Financave për zbatimin e këtij neni në ligj. E pranishme në komision ishte specialistja e ministrisë, Linda Rusmaili, e cila pranoi vendimin e Kushtetueses, duke propozuar ndryshimet e rastit, në vijim të shfuqizimit të nenit. Gjatë procesit të votimit kanë munguar deputetë të opozitës. Ata e konsideruan të parregullt që në rendin e ditës të futet për votim një nen i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. "Në rast se do ta votojmë pro apo kundër njërën pikë të nenit 107, duhet të marrim në konsideratë edhe nenet e kundërshtuara nga biznesi, pasi në të kundërt votimi i këtij neni nuk sjell asgjë të re", tha Malaj. Paralelisht me debatin në komision, brenda Ministrisë Financave, shefi i misionit të FMN-së dhe zc/ministri Mima, pranonin vendimin e Kushtetueses për shfuqizimin e nenit 107.

Kalon raporti i ASD

Me shumicë votash, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Ata sugjeruan rritje të masës së mbulimit për sigurimin e depozitave, nga 700 mijë lekë që është aktualisht, duke kërkuar dhe ndryshim të ligjit, i cili për më shumë se një vit e gjysmë është përfolur se do të rregullohet. Ndërsa kryetarja Sejko tha se për vitin 2007, rreth 43% e shumës së depozitave për individët është e siguruar nga bankat e nivelit të dytë, falë primit prej 0,5% që paguajnë pranë ASD. Në këtë pikë është menduar që si bankat, ashtu edhe shoqëritë e kursim-kreditit të përfshihen në skemën e sigurimeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›