E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN, tjetër apel qeverisë: Të përmirësohet klima me biznesin

Raportet e fundit të organizatave ndërkombëtare rreth klimës së biznesit në vend kanë tërhequr vëmendjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit, situata me sipërmarrjen private duhet të ndryshojë. Në konferencën e zhvilluar dje, me pjesëmarrjen e kreut të Bankës së Shqipërisë dhe dy zv/ministrave të Financës, Shehu dhe Mima, shefi i misionit Gerwin Bell shprehu hapur qëndrimin lidhur me raportin qeveri-biznes, e cila nga vëzhgime të ndryshme të ndërkombëtarëve dhe opozitës, nuk duket e qëndrueshme. Pa dashur të komentonte me detaje lirinë ekonomike në vend dhe nivelin e konkurrueshmërisë në raport me vendet e tjera të Rajonit, Bell tha se, "përparimi ekonomik i shpejtë mund të vazhdojë, në rast se disa probleme të rrënjosura thellë adresohen me vendosmëri. Në mënyrë të veçantë, mjedisi i biznesit kërkon përmirësime për të tërhequr investimet cilësore që nevojiten". Deklarata e misionit të FMN-së vjen në një kohë kur shumë ligje tatimore miratohen nga qeveria pa marrë në konsideratë propozimet e biznesit. Duke folur për klimën ekonomike në përgjithësi, e cila për 2008-n parashikon rritje të qëndrueshme prej 6 përqindësh, Fondi Monetar e sheh me rëndësi raportin midis qeverisë dhe biznesit, mjaft e acaruar kohët e fundit kur është diskutuar projektligji për procedurat tatimore, por edhe nga treguesit e paraqitur nga Banka Botërore rreth "të bërit biznes në Shqipëri", ose raporti mbi lirinë ekonomike.

Rritja e çmimeve

Shtrenjtimi i artikujve të konsumit, përtej parashikimeve, po prek pothuajse të gjitha shtresat në vendin tonë. Në këtë rast, përveç pensionistëve dhe familjeve që marrin ndihmë ekonomike nga shteti, të prekur nga kjo rritje galopante e çmimeve janë edhe buxhetorët. Nisur nga kjo, FMN-ja rekomandon të merren masat e nevojshme për krijimin e një skeme subvencionuese për shtresat që preken nga rritja e çmimeve. Shefi i misionit, Bell, la të nënkuptohej se nuk do të ketë rishikim të politikave fiskale sesa të atyre sociale, duke ngritur skema subvencionuese. Këtë fakt e pranoi dhe zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, sipas të cilit, "krahas rritjes së pagave dhe pensioneve nga fondi i kontigjencës, do të ketë një rritje të përfitimeve edhe për shtresat që trajtohen me ndihmë ekonomike". Lidhur me treguesit e skemës së re, Shehu u përgjigj se, "ideja është që shtresat që marrin ndihmë ekonomike, pensionistët dhe ata që kanë paga të ulëta, kërkojnë mbështetje për kompensim të efekteve të inflacionit, sipas planeve që kemi ne dhe që do t‘i zbatojmë muajt e ardhshëm". Për sa i përket pagave, FMN-ja kërkoi shumë kujdes nga ana e qeverisë, në mënyrë që rritja e tyre të mos ndikojë në shtrenjtimin e çmimeve, si rrjedhojë e shtimit të kërkesës në treg. Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, rekomandoi që hartimi i skemës të kryhet me mjaft kujdes nga qeveria, sidomos te treguesit e pagave në shtet. Qeveria ka vendosur në fondin e kontigjencës rreth 55 milionë dollarë, të cilët do të përdoren për rritje pagash dhe pensioni pas 1 korrikut të këtij viti.

Inflacioni

Niveli aktual i inflacionit prej 4,4 përqindësh nuk përbën shqetësim serioz për asnjërin nga institucionet si Ministria e Financave, BSH dhe FMN. Nga deklaratat e dhëna dje, si nga Fondi ashtu dhe Banka, u pa qartë se, niveli aktual i inflacionit do të vijojë të qëndrojë në nivele të larta për të paktën gjithë vitin 2008, ndërsa lidhur me nivelin aktual, në krahasim me vendet e tjera të rajonit qëndron shumë pikë poshtë. Sipas zv/ministrit Shehu, "të dhënat e bëra publike për inflacionin, tregojnë se ai është 4 për qind, duke qëndruar brenda objektivave tona". Ndërsa për FMN-në, niveli i inflacionit nuk duhet të luhatet nga faktorë të brendshëm, siç është deficiti tregtar dhe politika e pagave. Inflacioni vjetor në fund të muajit prill 2008 u ndal në nivelin 4.4 për qind, duke tejkaluar me rreth 0.4 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të intervalit 3+/-1%, të synuar nga BSH-ja. Ky nivel erdhi si kontribut i grupit të ushqimeve të përpunuara dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike, në muajin mars 2008. "Mbështetur në parashikimet afatshkurtra, rezulton se inflacioni do të vazhdojë të luhatet në nivelet aktuale edhe gjatë muajve në vazhdim, duke arritur në fund të vitit 2008 pak më poshtë se niveli i sipërm i zonës objektiv, të synuar prej Bankës së Shqipërisë", tha Fullani.

Misioni i FMN-së

Misioni i FMN-së përfundoi konsultimet për nenin IV dhe Misionin e Rishikimit të Marrëveshjes PRGF-EFF në Shqipëri. Në deklaratën e bërë publike dje, FMN-ja u përqendrua në rishikimin e mesvitit të buxhetit të 2008-s, si dhe në masat për të përmirësuar financat e KESH-it. Vendi është në prag të kalimit në një sistem tjetër të bashkëpunimit me FMN-në, lidhur me sistemin makroekonomik dhe fiskal. Qeveria, çdo 6 muaj bën një rishikim të programit me FMN-në, i cili përfundon në janar të vitit të ardhshëm. Pas kësaj periudhe, treguesit e buxhetit do të monitorohen nga Komisioni i posaçëm Evropian.

Reformat strukturore

Probleme me gjyqësorin dhe pronësinë

Reformat strukturore duhet të bëjnë një tjetër hap përpara. Sipas FMN-së, veprimet e fundit për të lehtësuar barrën rregullative janë të rëndësishme, megjithatë, të drejtat e pronësisë, zbatimi i kontratave, qeverisja dhe sistemi gjyqësor mbeten dobësitë kryesore. Po ashtu, reformat në prokurimin publik kërkojnë zbatim më të gjerë, ndërsa shtrirja, shpeshtësia dhe cilësia e statistikave duhet të përmirësohet, sidomos për sa i përket llogarive kombëtare. "Duhet bërë kujdes që INSTAT-it do t‘i akordohen fonde të mjaftueshme për të zbatuar përmirësimet e nevojshme", përfundon deklarata e FMN-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›