E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet drejtori i Arsimit të Qarkut Tiranë, Selim Kamberi

Është shkarkuar nga detyra drejtori i Arsimit të Qarkut të Tiranës, Selim Kamberi. Lajmin e konfirmon edhe Ministria e Arsimit, e cila bën të ditur se sapo ka emëruar në këtë post Skënder Ballën. Më parë Balla kryente detyrën e inspektorit në këtë institucion arsimor. Për sa i përket drejtorit të shkarkuar, mësohet se ai iku nga puna me motivacionin: "moszbatim të udhëzimeve të MASH". Pas një inspektimi të kryer kohët e fundit në Drejtorinë Arsimore të Qarkut të Tiranës, u konstatuan një sërë shkeljesh në shkresat zyrtare. Po kështu, Ministria e Arsimit kishte sinjalizime nga persona të diplomuar për mësuesi se ish-drejtori Kamberi kishte abuzuar me vendet e punës. Burimet saktësojnë se "ai ka emëruar mësues pa arsimin përkatës, ndërsa ka lënë në pritmëri apo zëvendësues mësues me arsim të lartë. Sipas MASH-it, për ish-drejtorin Kamberi ka pasur ankesa nga mësues, por nuk ka qenë kjo arsyeja e shkarkimit. Dikasteri i Arsimit bën të ditur se "drejtori i arsimit u shkarkua për moszbatim të udhëzimeve të MASH-it". Një ndër udhëzimet e ministrisë ishte edhe reforma në arsim, e cila konsiston në zëvendësimin e mësuesve pa arsim përkatës me ata me diplomë. Ndërkohë, ish-drejtori Kamberi ka hedhur poshtë pretendimin se nuk ka zbatuar reformën në arsim. Urdhri për reformën ka mbërritur vetëm dy muaj më parë dhe brenda këtij afati Kamberi ka bërë disa lëvizje në personelin mësimor në komunat e Tiranës dhe në Bashkinë e Vorës. Ndërkohë, urdhri i ministrit Pollo kishte edhe një kleçkë tjetër, ku thuhet se nuk duhet të prekeshin mësuesit që kanë mbaruar shkollën para vitit ‘83. Kjo pasi në atë kohë nuk kishte studime të larta për Cikël të Ulët, siç ka tani. "Kemi udhëzuar drejtoritë arsimore që ta realizojnë reformën me disa faza", bën të ditur Ministria e Arsimit. Por duket se fazat e ndjekura nga ish-drejtori Kamberi nuk kanë qenë në përputhje me idetë e zyrtarëve të MASH, ndaj edhe është shkarkuar nga detyra e kreut të arsimit për Qarkun e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›