E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e borxhit të jashtëm, FMN-ja bind Financat

Pas negociatave dyjavore, misioni i FMN-së arrin të bindë zyrtarët e Ministrisë së Financave që të ulin deficitin buxhetor, i cili për këtë vit është parashikuar në 7,9 për qind. Në konferencën e përbashkët me FMN-në, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, tha se "kemi rënë dakord për ruajtjen e deficitit vjetor në nivelin prej 5.2% të PBB-së". Shkaku i pranimit të këtij niveli është performanca e mirë në mbledhjen e të ardhurave të buxhetit. "Për sa i përket uljes së deficitit, ky është një nivel që ne e kemi paralajmëruar më parë, por tashmë ne kemi rënë në këtë nivel duke analizuar ecurinë e disbursimit kryesisht të investimeve të huaja", tha Shehu. Zv/ministri tha se do të ketë një buxhet shtesë dhe do të përdoren burimet e brendshme, në mënyrë që investimet të mos cenohen nga ulja e deficitit buxhetor. Ai la të nënkuptohej se buxheti shtesë do të ketë një madhësi prej të paktën 14 miliardë lekësh, pa përfshirë këtu të ardhurat nga privatizimet. Ndërsa shefi i misionit të FMN-së tha se "rritja e bollshme e të ardhurave duhet përdorur për të konsoliduar financat publike dhe për të mbajtur deficitin e buxhetit në 5.2% të PBB-së". Bell përmendi disa rreziqe fiskale, si tejkalimi i kostos në rrugën Rrëshen-Kalimash dhe situata e keqe financiare e KESH-it.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›