E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit spanjoll miratoi me unanimitet Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, gjatë vizitës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

  Komisioni i jashtëm i Kongresit të deputetëve (Parlamentit) të Spanjës miratoi Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe brenda pak javësh ky ratifikim pritet të bëhet nga Parlamenti dhe Senati spanjoll. Ky miratim u realizua gjatë vizitës zyrtare të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Spanjë me ftesë të Presidentit të Senatit, Francisco Javier Rojo, vizita e parë e këtij niveli të lartë në të gjithë harkun kohor të marrëdhënieve mes dy vendeve. Senati i Spanjës do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit në NATO sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ju konfirmua Kryetares së Kuvendit nga Presidenti i Senatit spanjoll, Javier Rojo në pritjen e përzemër të rezervuar për delegacionin  parlamentar shqiptar.     Pasi shprehu kënaqësinë e këtij takimi, Zoti Javier Rojo tha se kjo vizitë e këtij niveli të lartë hap  një kapitull të ri dhe do të nxisë linja të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Spanjës duke shërbyer si një bazë e fortë për dinamizimin  e marrëdhënieve mes dy vendeve. Shqipëria dhe Spanja, theksoi ai, janë dy vende të afërta që ndajnë vlera të përbashkëta dhe fushat ku mund të nxisim bashkëpunimin janë të shumta.   Mbështetja e Spanjës tha zonja Jozefina Topalli është shumë e rëndësishme për ne. Ratifikimi i MSA-së në një kohë të shpejtë ishte një tregues i qartë i kësaj mbështetjeje. Konfirmimi juaj për një përshpejtim  të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO është një garanci e rëndësishme në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën e Veriut. Shqipëria vijoi Kryetarja e Kuvendit, pas një historie të gjatë të vështirë ka një transformim të jashtëzakonshëm, një progres intensiv, një bum ekonomik dhe po vlerësohet gjithnjë e më shumë nga institucionet ndërkombëtare.   Pasi e njohu zotin Rojo me reformat dhe sfidat e vendit në rrugën e integrimit, të vlerësuara së fundmi edhe nga raportet e Bankës Botërore dhe Tansparencës Ndërkombëtare, Kryetarja Topalli tha se Shqipëria për shumë vite e izoluar, tashmë jeton një realitet me standarde europiane dhe është shumë e rëndësihme për qytetarët shqiptar liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë.

  Biseda u ndal edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik ku u theskua se edhe pse Spanja bën pjesë tek partnerët tregtarë kryesorë të Shqipërisë, dëshira dhe tendenca është për intensifikim të këtyre marrëdhënieve.

     Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kontributin e Spanjës në pranimin e Shqipërisë në Procesin e Barcelonës dhe në Bashkimin  për Mesdheun si dhe bashkëpunimin në kuadër të Aleancës së Civilizimeve, inisiativë e Kryeministrit Zapatero dhe ndihmesën e palës spanjolle për pranimin e Shqipërisë në Grupin e Miqve të kësaj Aleance.

Duke vlerësuar diplomacinë parlamentare si shumë të rëndësishme për vendosjen e kontakteve ndërparlamentare, Kryetarja e Kuvendit tha se shpreson  që Presidenti i Senatit të Spanjës të gjejë kohën për të ardhur në një vizitë në Shqipëri, vizitë që do të ishte në nderin dhe kënaqësinë e Kuvendit të Shqipërisë.
                       

 

                         

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›