E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit zhvillon seanca dëgjimore me Komisionet e mbrojtjes dhe të çështjeve ndërkombëtare të Senatit Spanjoll. Jozefina Topalli: Lëvizja e lirë shumë e rëndësishme për shqiptarët. Pavarësia e Kosovës ka konsoliduar paqen në rajon.

  Gjatë ditës së parë të vizitës së saj në Spanjë, Kryetarja e Kuvendit dhe delegacioni parlamentar që e shoqëronte zhvilloi seanca dëgjimore me Komisionin e Mbrojtjes dhe  Komisionin e jashtëm të Senatit. Në seancën dëgjimore  në Komisionin e politikës së jashtme, Kryetarja e Kuvendit u takua edhe me zotin De Puig, President i Asamblesë parlamentare të Kë shillit të Europës, njëkohësisht senator i Senatit spanjoll.   Zoti De Puig vlerësoi progresin që Shqipëria ka bërë vitet e fundit dhe ofroi të gjithë mbështetjen e tij personale dhe të Asamblesë së KE-së në arritjen e objektivave të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit pasi bëri një pasqyrim të situatës dhe zhvillimeve në Shqipëri iu përgjigj interesit të senatorëve për ecurinë e procesit të anëtarësimit në BE dhe NATO, duke marrë prej senatorëve vlerësimet dhe mbështetjen në reformat e mëdha që Shqipëria po realizon me sukses. Ndërsa në Komisionin e mbrojtjes dialogu u fokusua në arritjet e standardeve në fushën ushtarake në kuadër të anëtarësimit të afërt në NATO, si dhe në situatën në rajon. Kryetarja e Kuvendit tha se anëtarësimi në NATO është një prioritet i Qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë dhe fushën e mbrojtjes e shohim me një vëmendje të veçantë. Shqipëria ka luajtur një rol të vlerësuar në rajon, tha Kryetarja e Kuvendit. Ballkani tashmë reflekton paqe, dhe pavarësia e Kosovës po i shërben më së miri konsolidimit të stabilitetit dhe orientimit perëndimor të rajonit. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e misionit ushtarak spanjoll në Kosovë dhe besimin në kontributin e këtij misioni edhe pas shndërrimit të tij në një mision civil. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi takime të veçanta edhe me Sekretarin e Përgjithshëm spanjoll për BE-në Miguel Angel Navarro dhe Kryetaren e Komisionit për bashkëpunimin ndërkombëtar Rosa Delia Blanko Teran. Fokusi i bisedës në këto takime ishin reformat e ndërmarra nga Shqipëria, që kanë shkurtuar rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, hapat e bëra në rrugën e anëtarësimit euro-atlantik, liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë si dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor. Një tjetër takim ishte ai me përfaqësuesit e   Grupit të Partisë Popullore të Senatit spanjoll. Senatorët e këtij grupi theksuan se Shqipëria ka bërë një progres brilant dhe po ecën me ritëm në të gjiha fushat. Ju keni arritur të mbyllni dyert e errta të së kaluarës duke hapur dyert drejt së ardhmes euro-atlantike. Duke falënderuar senatorët e Partisë Popullorë spanjolle, Kryetarja e Kuvendit theksoi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit dhe kontakteve mes përfaqësuesve të Senatit dhe Parlamentit spanjoll dhe përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë.                                                  
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›