Shqipëria për herë të parë në Asamblenë Parlamentare Euro-Mesdhetare.
Pas Samitit të Parisit për Mesdheun, zhvilluar në kujdesin e Presidentit të Francës, Nikolas Sarkozy, për herë të parë, Shqipëria ftohet të marrë pjesë si vëzhguese në mbledhjen e Asamblesë së jashtëzakonshme Euro-Mesdhetare, EMPA, e cila zhvilloi mbledhjen e saj në Jordani.
E kryesuar aktualisht nga Presidenti i Parlamentit Europian, Hans Gert Pottering, kjo Asamble është institucioni parlamentar i Procesit të Barcelonës dhe përbëhet nga 260 anëtarë europianë, prej të cilëve 130 parlamentarë të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Parlamentit Europian dhe 130 anëtarë të parlamenteve të vendeve partnere Mesdhetare të BE-së. Në këtë Asamble, Shqipëria, e përfaqësuar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shoqëruar nga deputetët Ilir Rusmali dhe Ben Blushi, mori statusin e vëzhguesit dhe vitin e ardhshëm pritet të jetë anëtare e EMPA-s.Presidenti i EMPA-s, Pottering, njëkohësht President i PE-së, njoftoi përpara anëtarëve të Asamblesë marrjen e statusit të vëzhguesit nga Shqipëria, duke shprehur kënaqësinë për pjesmarrjen e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në këtë takim.Pjesëmarrja e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare Euro-Mesdhetare ka një rëndësi domethënëse, jo vetëm në rritjen e partneritetit me vendet e BE-së dhe Mesdheut, por edhe për sfidat e saj të integrimit në BE dhe NATO, parë faktin se shumë prej vendeve anëtare të këtyre institucioneve janë pjesë e EMPA-s.Asambleja u përshëndet nga Madhëria e tij, Mbreti i Jordanisë Abdullah II dhe nga Kryeministri Nader Al-Dhahabi. Bashkëpunimi ekonomik në fusha si energjia, infrastruktura, transporti, por edhe siguria dhe çështjet sociale janë një tjetër aspekt i punës së kësaj asambleje. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë Asamble, në vazhdën e ftesave që vendi ynë po merr për tu bërë pjesë e institucioneve kryesore ndërkombëtare, por edhe si vlerësim të progresit të bërë dhe konsiderimin e Shqipërisë si një partner serioz. "Është një mision tjetër i rëndësishëm i parlamentarizmit jo vetëm me pjesëmarje në BE por edhe në një zonë të jashtëzakonshme sic është ajo e Mesdheut.Këtu janë të pranishëm autoritete të larta të BE dhe vendeve jugore të Mesdheut, ku qëllimi është forcimi i paqes dhe stabilitetit përmes zhvillimit të dialogut .
Unë besoj se ftesa që i erdhi Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë Asamble nuk është thjesht një dimension mesdhetar, po është një dimension global, në të cilën Shqipëria vjen nga një rrajon që ka kaluar përmes luftërash, genocideve uzurpimeve , dhe tani jeton në paqe dhe stabilitet.
Për më tepër tashmë që Shqipëria përmes raporteve ndërkombëtare, shihet si një vend me progres të jashtëzakonshëm dhe besoj se ajo ka shumë për të ndarë me eksperiencën e saj, arritjet e rëndëishme bashkë me vendet e tjera, këtu në punimet e Asamblesë.
Kjo është një mundësi tjetër, një oportunitet për tu shfrytëzuar nga parlamentarët fillimisht, dhe më pas për tu zbatuar nga ekzekutivi me ardhjen e invesime të huaja nëpërmjet të cilave, focohen marëdhëniet ekonomike, përvec atyre politike
Kjo është një arritje realisht e re e rëndësishme parlamentarizmit shqiptar dhe e politikës në tërësi të Shqipërise, të marrë pjesë në një ngjarje e cila zhvillohet në një nga zonat më të rëndësishme dhe me burime të mëdha energjitike dhe të sektorëve të tjerë".- u shpreh Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Asambleja e EMPA-s diskutoi mbi çështje konkrete të bashkëpunimit ekonomik, mbi forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e mesdheut e përtej, duke vënë theksin në faktin se parlamentet, si përfaqësues të drejtpërdrejtë të qytetarëve kanë një peshë të madhe në rritjen e partneritetit dhe dialogut mes popujve.