E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese miraton një projektligj të rëndësishëm për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale. Kjo huamarrje, sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Financave dhe atij të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) , të pranishëm në mbledhje, do të zgjasë për një periudhë 15-vjeçare. Marrëveshja parashikon një periudhë 3-vjeçare pa pagesë principali, ndërkohë që 1 përqind e shumës do ti paguhet bankës për lëvrimin e fondit.
Anëtarët e Komisionit shprehën vlerësimin maksimal për projektin e Qeverisë dhe gjetjen e burimeve për zbatimin e këtij projekti tepër të rëndësishëm në zhvillimin infrastrukturor.
Projekti parashikon ndërtimin e 1000-1500 kilometra rrugë rurale dhe nacionale dhe bashkëfinancohet respektivisht me 50 milionë euro nga BERZH, 50 milionë euro nga Banka Europian e Investimeve (BEI) dhe 33 mmilionë euro nga fondet e Instrumentit të Paraaderimit 2010/2011. Ndërkohë, Qeveria shqiptare do të financojë të gjitha përjashtimet nga taksat për këtë projekt. Gjithashtu, një grant prej 4 milionë eurosh do të sigurohet nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim mbështetjen e projektit.
Gjatë diskutimeve, deputetët ngritën disa shqetësime që kanë të bëjnë me kategorizimin e rrugëve dhe ndërtimin ose restaurimin e urave lidhëse. Ata nënvizuan se në praktikën e investimeve në rrugë, është konstatuar copëzimi i investimeve, duke ulur vlerën e tyre, ndërsa në rrugët rurale pavarësisht ekzistencës apo nevojës për ura lidhëse, është konstatuar në disa raste se investimet nuk janë zbatuar me efektivitet. Përfaqësuesi i FSHZH-së, shpjegoi se tashmë është gati studimi i fizibilitetit që parashikon edhe inventarizimin e rrugëve dhe janë identifikuar disa rrugë të cilat, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve, do të kategorizohen nga rrugë nacionale në rrugë sekondare, për shkak të ndryshimit të funksionit të tyre.
Përsa i përket urave lidhëse, përfaqësuesi i FSHZH-së sqaroi se tashmë është përcaktuar si standard që kompania ndërtuese, të parashikojë në procesin e projektimin dhe zbatimit edhe ndërtimin apo restaurimin e urave lidhëse. Deputetët duke vlerësuar projektligjin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin dhe përmirësimin infrastrukturor të rrjetit rrugor në përgjithësi dhe për zhvillimin e zonave rurale, ranë dakord për miratimin e tij në seancë plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›