Komisioni i Ligjeve miraton aktin normativ per lirimin e banesave

Komisioni i Ligjeve kaloi aktin normativ për lirimin e shtëpive të ish-pronarëve, ndërsa opozita votoi kundër. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi tha se akti synon të vendosë barazi mes qytetarëve. Sikundër tha ai, një pjesë e mirë e atyre që ende nuk i kanë liruar këto shtëpi e bëjnë për qëndrime klasore, çfarë ka provokuar dhe reagimin e Partisë Socialiste
Akti normativ u miratua në gusht nga qeveria dhe u jep afat atyre që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve që t’i lirojnë ato deri më 1 nëntor. Siç arsyetohet nga ekzekutivi akti nuk cenon asnjë garanci apo siguri juridike për të pastrehët që banojnë në këto prona, pasi kjo kategori ka qenë në dijeni të afateve ligjore; kur kanë kaluar 20 vjet nga nisja e kthimit dhe kompensimit të pronave, këtyre subjekteve u janë ofruar të gjitha mundësitë të aplikojnë për kredi për strehim, me 0 % interes, por pjesa më e madhe e tyre nuk ka paraqitur interes t'i tërheqë ato, ose të paraqitet për aplikim. Akti normativ është në përputhje me nenin 101 të Kushtetutës dhe të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.