E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton legalizimin e objekteve informale duke përdorur bono privatizimi

Me bono mund të paguajnë edhe ata që i kanë shlyer detyrimet financiare

Gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin e ardhur si propozim i Ministrisë së Financave, i cili parashikon që për të legalizuar objektet pa leje qytetarët mund të përdorin bonot e privatizimit, ose, siç quhen ndryshe, letrat me vlerë, që janë shpërndarë në bazë të ligjit të vitit 1995. Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave në Komision bëri të ditur se futja në treg e letrave me vlerë lehtëson qytetarët nga ana financiare, por edhe rikthen në treg dhe u jep fuqi vepruese këtyre letrave me vlerë. “Për legalizimet mund të përdoren bonot e privatizimit, të cilat mund të përdoren vetëm nga disponuesit e tyre, të cilët janë në proces legalizimi.
Në projektligj është parashikuar që bonot e privatizimit të shpërndara për ish-të përndjekurit politikë dhe subjekteve të tjera gjatë privatizimeve të objekteve shtetërore të kenë të njëjtin trajtim me bonot e privatizimit që do të përdoren për legalizimet e ndërtimeve pa leje”, - ka shpjeguar përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Ergys Qirici. Ai bëri të ditur se të gjitha taksat dhe detyrimet financiare që rrjedhin nga kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore do të paguhen me para, ndërsa tarifa e legalizimit paguhet me letra me vlerë. “Në projektligj janë parashikuar ndryshime të rëndësishme, sidomos në nenet 19, 20 dhe 21, ku parashikohet që për sipërfaqet që deri tani aplikohej tarifa në përputhje me vlerën e plotë të tregut nuk mund të aplikohet pjesërisht pagesa me bonot e privatizimit. Në funksion të idesë së përdorimit të pagesës me bono privatizimi janë bërë ndryshime edhe në dispozitën që lidhet me dokumentacionin ligjor për legalizimin dhe ndërtimin e ndërtesave informale, ku është parashikuar që subjekti mund të paraqesë kërkesë për mënyrën e pagesës për legalizimin e ndërtimit pa leje”, - është shprehur Qirici. Ai bëri të ditur se projektligji ka parashikuar edhe efektet prapavepruese për personat që kanë kryer këto pagesa për legalizimit e ndërtimeve para hyrjes në fuqi të tij, në mënyrë që të përfitojnë nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit, apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë në këmbim të dorëzimit të bonove. Ai tha se këta persona duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t dhe afati për të përfituar është 3 muaj. Gjatë diskutimeve në Komision u shtua dhe një nen i fundit, i cili parashikon miratimin e një vendimi qeverie për të përcaktuar mënyrën e kthimit të parave personave që i kanë paguar njëherë detyrimet financiare për objektin e legalizuar dhe që duan të përdorin për këtë proces bonot e privatizimit.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›