Presidenti Obama, mesazh urimi Berishës: “Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë”
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John L. Withers II, i cili i dorëzoi kryeministrit Berisha mesazhin e urimit të presidentit Obama për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe formimin e qeverisë së re. Në mesazhin e tij drejtuar kryeministrit Berisha, presidenti Obama shkruan: “I dashur Kryeministër, Ju lutem pranoni përgëzimet e mia për rikonfirmimin e mandatit Tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdoj të punoj së bashku me Ju për të promovuar lirinë dhe mirëqenien në të gjithë botën. Për mua ka qenë një nder i madh që së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve të NATO-s të mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtaret më të reja të Aleancës në Samitin e Strasburg-Kehlit, në fillim të këtij viti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë. Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me Ju dhe të përkrah aspiratat euroatlantike të vendit tuaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë lart marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Shqipërinë. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm do t’i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona. I uroj qeverisë suaj dhe Juve personalisht sukses të plotë në mandatin e ri qeverisës si Kryeministër”, - ka shkruar në letrën e tij Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama.
6 Tetor 2009