Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimin e pr/ligjit për të përndjekurit
Do trajtohen me përparësi ish-të persekutuarat gra nga 70 vjeç dhe burrat 75 vjeç
Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar ndryshimin e moshës së ish-të përndjekurve politikë, të cilët trajtohen me përparësi përsa i përket përfitimit të shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar. Në projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, parashikohej që ish-të përndjekurit me moshë mbi 85 vjeç, trajtohen me përparësi, duke marrë dëmshpërblimin e plotë me dy këste, brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit. Ndërkohë që me ndryshimin e bërë, do trajtohen me përparësi ish-të persekutuaret gra me moshë nga 70 vjeç dhe ish-të persekutuarit burra, me moshë 75 vjeç. Amendamenti i propozuar nga deputeti demokrat Fatos Hoxha, u mbështet përveç deputetëve të mazhorancës, edhe nga deputeti socialist Bashkim Fino, ndërkohë që të tjerët abstenuan.
Ligjvënësit kanë debatuar mbi propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilit ndryshohet periudha për përfitim dëmshpërblimi financiar. Në ligjin aktual, kjo periudhë është 30 Nëntor 1944 deri në 1 tetor 1991. Sipas propozimit, do të përfitojnë të gjithë ata të persekutuar duke filluar nga 28 Ttetori 1944, datë e themelimit të qeverisë së Beratit. Por kjo pikë solli debate mes komisionerëve.
Pas diskutimeve, Komisioni i Ligjeve ka miratuar me votën e mazhorancës ndryshimet në ligjin për dëmshëprblimin e ish-të përndjekurve politike, ndërkohë që opozita abstenoi. Qëndrimi i opozitës në Komisionin e Ligjeve, vjen në kundërshtim me deklaratat e lidershipit socialist, sipas të cilit Partia Socialiste duhet të ketë një qasje tjetër me të persekutuarit e regjimit komunist.