Komisioni i Ligjeve rikthen kërkesën e opozitës për komisionin hetimor
Ngritja e komisionit hetimor vazhdon të mbajë të ‘helmuar’ klimën politike brenda kryesisë së Kuvendit. Një ditë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Komisioni i Ligjeve ka lënë jashtë rendit të ditës çështjen e ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Mazhoranca e mori vendimin pa praninë e opozitës në sallën e komisionit, madje edhe pa prezencën e mediave. Burime pranë Kuvendit bëjnë me dije se, kërkesa e opozitës do të shqyrtohet gjatë seancës së radhës në rast se opozita do të sjellë kërkesën e saj pranë administratës së Parlamentit me përmbajtjen e pikës tre të kërkesës në formën e korrigjuar.
Argumenti i PD-sëKryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali bëri me dije dje përpara ligjvënësve demokratë se, në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit një kompromis për sa i përket datës se kur komisioni hetimor duhet të kalojë në Parlament. Kreu i komisionit, Rusmali theksoi se numri i anëtarëve që marrin pjesë në komision nuk është ende i qartë dhe se nuk është zgjedhur ende kryetari i tij. Mazhoranca, në Komisionin e Ligjeve, shtyn shqyrtimin e kërkesës së depozituar nga Partia Socialiste për të zbardhur me komision hetimor zgjedhjet e 28 qershorit. Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë me dije se, “si Kryetare e Kuvendit, sqaroj opinionin publik se Kuvendi i Shqipërisë ka vullnet të plotë dhe është i gatshëm të pranojë çdo kërkesë, për çdo hetim, me kushtin e vetëm që ajo të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.
Argumenti i PS-sëPartia Socialiste ka reaguar menjëherë pas qëndrimit më të fundit të anëtarëve të mazhorancës në Komisionin e Ligjeve për të mos diskutuar kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve të shkuara.
Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj deklaroi se, praktika e ndjekur në Komisionin e Ligjeve tregon qartë se mazhoranca nuk ka vullnet për zgjidhjen e krizës, dhe po shtyn ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve me qëllimin e vetëm, manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj e ka cilësuar të gjithë procedurën si një stisje nga ana e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila bashkë me mazhorancën, sipas tij, qëllimisht po zvarrisin këtë proces. Por, arsyeja e shtyrjes, të paktën sipas kryetarit Rusmajli, mësohet të jetë neni 3 i kërkesës, ku kërkohet që shumicën dhe kryetarin ta ketë opozita. Ndërsa në Konferencën e Kryetarëve, një ditë më parë, është kërkuar që kjo pikë të ndryshohet, Xhafaj mbron idenë se kjo pikë është propozuar nga rezoluta e PE-së. Më tej Xhafaj sqaron se, PS-ja do ta dërgojë dhe në rrugë institucionale këtë variant, duke sqaruar në këtë pikë dhe nenin 178 të Kodit, që PD-ja i referohet për fletët e votimit.