E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stringa: PD, më e bukur në vitin 2024, kur të vijnë të rinjtë

Intervistë Flet anëtari i kryesisë: Vazhdon edhe sot mentaliteti i gjetjes së armiqve të klasave

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Omer Stringa, flet në rolin e dëshmitarit në lidhje me 20 vitet e jetës së kësaj partie dhe të ardhmen e saj. Në një intervistë për “Shqip”, dekani i Fakultetit Ekonomik, Stringa, thekson se ai pret ta shikojë PD-në e bukur në vitin 2024, kohë në të cilën sipas tij, do të ketë njerëz të brezit të ri. Batuta e Stringës është një ironi therrëse ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha se do të largohem pas 35 vjetësh. Mentaliteti që ka nevojë të ndryshohet, shikohet nga Stringa si problemi kryesor i PD-së sot. Sipas tij, ata që e themeluan dhe e drejtojnë sot atë, janë ndikuar nga jeta e kaluar në komunizëm. Në PD, Stringa e sheh veten aksioner dhe uron që të shtohen radhët e atyre që ia rrisin vlerat partisë dhe jo atyre që partia u jep vlera. Në një rast të tillë, sipas një teorie të thjeshtë ekonomike, aksionet e tij do të merrnin më shumë vlerë.

Partia Demokratike, këto ditë, ka mbushur 20 vjet që është krijuar. Duke qenë një nga anëtarët më të hershëm të saj, ç’mund të na thoni për ecurinë e saj në dy dekada?

Në radhë të parë, PD është një aset mjaft i rëndësishëm i Shqipërisë, pavarësisht nga rruga që ka ndjekur në të mirat dhe në të këqijat. Në parim, në total, PD i ka dhënë mjaft zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në vend. Të parët që e kanë krijuar partinë kanë qenë studentët, ne kemi qenë të dytët që mund të t’ju jepnim pak mendje, por ata e kishin vetë. Ne të gjithë, në krijimin e saj kemi pasur si parim dhe si parullë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Mirëpo ky mund të them që është një synim afatgjatë, mënyra sesi ne duhet t’i realizonin synimet afatshkurtra ishte një nga problemet më të vështira. Kjo e gjitha në Shqipëri ka ardhur sepse ka munguar opozita e vërtetë, pra zgjatja e ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri, vuajtjet, gabimet që kemi bërë rrugës, vijnë si rezultat se vetë lidershipi i PD-së nuk ka qenë i qartë si t’i përmbushë synimet afatshkurtra për të kaluar pastaj tek afatgjatat. Synimi që ne do të bëhemi si Europa ka qenë i vërtetë, ndërsa në synimet afatshkurtra kemi bërë të gjithë gabime. Edhe unë nuk kam qenë i qartë në ato ditë kur flisnim dhe gjithmonë pyetja më e madhe e imja ka qenë: Si do t’i bëjmë këto ndryshime? Kjo pasiguri vinte për një sërë arsyesh dhe kryesorja lidhet me faktin se në Shqipëri, asnjëherë nuk ka pasur opozitë reale. Një opozitë e vërtetë mund të ketë ekzistuar deri në vitin 1960, pastaj Enver Hoxha e zhduku dhe pastaj qe një opozitë që kishte vetëm dëshirën për të kundërshtuar, ndërsa dëshira për të ndërtuar ka qenë fare e cekët. Një nga arsyet që nuk kam qenë shumë aktiv lidhet me faktin se nuk kam ditur se çfarë do të bëjmë, të tjerët kanë qenë më të guximshëm, duke thënë do të ecim dhe do të shikojmë. Por nga ana tjetër, ne nuk duhet të harrojmë që PD-në e formuam ne me mentalitete krejt të tjera dhe unë, në vitin 1990 kam theksuar diçka: “Ne do të marrim formë pas 34 vjetësh kur të iki një brez”. Prandaj pres që PD-ja të bëhet e bukur në vitin 2024. Është e rëndësishme që kjo kohë të kalojë dhe brezi i ri të vijë në drejtim dhe kjo fatkeqësisht akoma nuk është realizuar.

Disa themelues të PD-së dhe personazhe aktivë janë shprehur se një nga problemet më të mëdha të PD-së në këto 20 vite ka qenë mungesa e garës së brendshme në këtë parti dhe mosndryshimi i lidershipit të saj. Cili është mendimi juaj në këtë pikë?

PD-ja është formuar nga njerëz me mentalitet aspak demokratik dhe kjo për faktin se ata njerëz, ashtu ishin rritur dhe kjo parti është rezultati i mesatares së Shqipërisë. Vendi ynë vuan sot nga mentaliteti, rrugët dhe shkollat ndryshohen shumë shpejt, por për mua është shumë vështirë të ndryshoj mentaliteti, pra të kalojë një brez, e thënë ndryshe duhet të kaloj 34 vjet. Më vjen keq ta theksoj, po asnjë nga ne nuk ka dalë nga mentaliteti 50-vjeçar i krijuar nga partia. Lidershipin nuk ta lënë ta marrësh me dëshirë, ta lënë ata që kanë një tjetër mentalitet, ne nuk e kemi arritur ende këtë.

Sipas “teorisë”, a mund të themi që kur ky brez të kalojë, atëherë Shqipëria mund të bëhet si gjithë Europa?

Për mua, fjala integrim do të thotë të jesh i njësuar, të jesh identik, nisur nga kjo ne nuk jemi identik me Europën në mentalitet. Unë nuk di që ka vend në botë që media dhe politika të merren me opozitën. Kjo gjë ka ndodhur edhe kur ka qenë në opozitë Partia Demokratike dhe tashmë po përsëritet e njëjta skemë. Ne merremi gjithë kohës me opozitën, sepse na pëlqen pushteti, nuk na pëlqejnë idetë. Parimi është që ti mos të merresh me opozitën, por me pushtetin, sepse ai ka forcën ta çojë para ose jo vendin. Enver Hoxha ka qëndruar 50 vite në pushtet se ka ruajtur këtë skemë, kemi nxjerrë armiq klasash dhe fatkeqësisht ky mentalitet po vazhdon. PD-ja po bën të njëjtin gabim, po merret më shumë seç duhet me opozitën.

Si e shikoni të ardhmen e PD-së me lidershipin aktual të saj?

Gara më e rëndësishme është ajo me kohën. Pra gjërat do të ecin këtë nuk e pengon kurrkush, pyetja qëndron sesa shpejt ecim dhe sa shpejt mposhtim kohën. Gjykoj se Shqipëria në përgjithësi e ka humbur garën me kohën, sepse gjithmonë krahasohemi me gjëra që na pëlqejnë ne. Ne duhet të lëvizim shumë më shpejt seç lëviz koha, për të krijuar diferencat e mëdha që kemi krijuar me fqinjët dhe mentalitetin europian që ne i përkasim. Edhe tani jemi prapa me kohën dhe për këtë krahasimet vijojnë dhe bëhen me të shkuarën, kur ishte PD apo PS në pushtet. P.sh me një përllogaritje të thjeshtë ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë nuk duhet të jenë më pak se 7% që në vitin 2020 të jemi pak a shumë të afërt me Bullgarinë, nëse ky vend nuk lëviz fare. Pra ne nuk mund të krenohemi me një rritje ekonomike 3 ose 4%. Një veprim i keq sot do shumë mundim për t’u rregulluar, ndërsa një veprim i mirë po sot mund të na çojë shumë përpara. Sot nuk jemi në vitin 1920, prandaj duhet t’i masim mirë veprimet tona.

Ju jeni aktualisht anëtar Kryesie i PD-së. Si e shikoni të ardhmen tuaj brenda kësaj partie?

Gjithmonë jam një anëtar i PD-së. Dyshoj se nuk kam fituar shumë në këtë parti për shumë arsye, por megjithatë nuk kam fakte dhe demokracia është e vështirë, pa fakte nuk mund të dyshosh në asgjë. Unë jam një anëtar i PD-së dhe mendoj se në këtë parti shtoj vetëm vlerat. Në përgjithësi në PD ekzistojnë dy kategori njerëzish. Ka njerëz që partia i jep vlera dhe ka dhe njerëz që i japin vlera partisë. Unë kam frikë se në PD po shtohet numri i atyre që partia po i jep vlera dhe me vlerat gjithmonë e në pakësim, kjo parti mund të shkojë shumë poshtë. PD ka nevojë për njerëz që i rrisin vlerat dhe aksionet asaj. Unë gjykoj se kam aksionet e mia në PD, dëshiroj që lidershipi me kalimin e kohës të m’i rrisë këto aksione.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›