E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca miraton e vetme Aktin Normativ për pensionet

Kuvendi Opozita braktis Komisionin e Sigurisë: Përkrahim ish-ushtarakët

Mazhoranca miraton e vetme Aktin Normativ për pensionet e ushtarakëve, duke i hapur rrugën votimit në seancën plenare të ditës së enjte. Opozita ka kontestuar vendimin më të fundit të qeverisë “Berisha”, duke u larguar nga salla e komisionit dhe deklaruar votën kundër në Kuvend. Me formulën e llogaritjes së pensioneve të parakohshme, këto pensione nuk mund të jenë më shumë se 23 mijë lekë në muaj. Partia Socialiste kërkon dëgjimin e shoqatave të ushtarakëve, ndërkohë që kryetari i komisionit bëri me dije se, ka informuar Shoqatën e Ushtarakëve një ditë më përpara për këtë akt normativ. Impakti financiar në buxhetin e shtetit do të ishte 1.2 miliardë lekë me ligjin e vjetër, ndërkohë, me përllogaritjen e re ky efekt do të jetë jo më shumë se 250 milionë lekë. Ish-ushtarakët i kanë shkruar një letër Komisionit të Sigurisë, por kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh, duke detyruar opozitën të braktisë sallën dhe mazhorancën të miratojë e vetme kalimin e këtij Akti Normativ në sallën e parlamentit.

Qëndrimi i opozitës

Partia Socialiste kërkoi shtyrjen e mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, në mënyrë që në komision të marrin pjesë dhe grupet e interesit, pasi sipas tyre, e drejta e fituar me gjyq e ushtarakëve nuk mund të rishikohet në komisionet kuvendore.

Për mazhorancën, prania e ushtarakëve është e nevojshme tek Komisioni i Ekonomisë si komision përgjegjës, dhe jo tek Siguria.

Opozita braktisi mbledhjen e Komisionit parlamentar të Sigurisë gjatë diskutimit të Aktit Normativ për pensionet e ushtarakëve. Pas kundërshtimit nga PD-ja, anëtarët socialistë braktisën punimet e komisionit, ku e djathta miratoi e vetme Aktin Normativ. Komisioni i Sigurisë Kombëtare i dha fund shqyrtimit në komisione parlamentare të një Akti Normativ në lidhje me sigurimin shoqëror suplementar të ish-ushtarakëve.

Përllogaritja e pensioneve

Deri më sot, ushtarakët, policët, punonjësit e Policisë së Burgjeve, punonjësit e Gardës, të SHISH-it apo të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, përveç sigurimit shoqëror të përgjithshëm prej 11.2% të pagës bruto, paguanin një kontribut shtesë prej 2% të pagës bruto. Ky kontribut shtesë, tani rritet në 5%. Kjo bëhet për të përballuar koston financiare të pensioneve të parakohshme, që mund të vijë si pasojë e lirimit nga detyra e ushtarakut. Me Aktin e ri Normativ dhe formulën e përllogaritjes së pensioneve të parakohshme, ato nuk mund të jenë më të vegjël se pensioni minimal në Republikën e Shqipërisë, por nuk rriten dot as më shumë se 21 380 lekë. Kësaj i shtohet kompensimi për energjinë elektrike dhe e drejta për të punuar në një punë tjetër, pa e humbur pensionin e parakohshëm. Mirëpo, shoqatat e ish-ushtarakëve protestojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›