E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsensusi i reformave prodhon ligjin e parë – atë për gjyqësorin

Kuvendi miratoi mbrëmë me 109 vota pro projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’. Nëpërmjet një konsensusi të gjerë që shoqëroi miratimin e këtij p/ligji dëshmon vullnetin politik të shprehur që në diskutimin e tij në komisionin parlamentar të Ligjeve. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, menjëherë pas miratimit të këtij p/ligji vlerësoi punën e deputetëve në hartimin dhe shqyrtimin e këtij drafti, sidomos të anëtarëve të komisionit të Ligjeve. "Kjo është dëshmi e maturisë së politikës shqiptare dhe një tregues që parlamentarizmi po kalon në një dimension tjetër", tha kryetarja e Kuvendit. Gjate fjalës së mbajtur me këtë rast nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, vlerësoi dje në Kuvend se forcimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor shqiptar është qëllimi kryesor i projektligjit për organizimin e gjyqësorit në Shqipëri. Gjatë shqyrtimit të këtij drafti dje në seancë plenare në parlament, Beja theksoi se “ligji i ri synon të realizojë një gjyqësor të pavarur, gjë që do të përmirësonte imazhin dhe forcimin e autoritetit të tij në sytë e qytetarëve, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. “Projektligji, i diskutuar prej më shumë se një viti, ka detaje efikase, duke filluar nga rekrutimi i gjyqtarëve, deri në shtimin e disa kompetencave të KLD-së. Baza do të jetë nga shkolla e magjistraturës, në mënyrë që gjyqësori të ketë gjyqtarë të cilësisë së lartë, ndërkohë që është lënë i hapur një shteg për ata që nuk kanë përfunduar ende ketë shkollë. Ligji aktual e kishte të papërcaktuar këtë kriter dhe sipas tij, në krye të gjyqësorit mund të emërohej një pedagog, deputet, jurist etj, por me ligjin e ri kemi ngushtuar këtë hapësirë. Në ligjin e ri është vënë si kusht i domosdoshëm që kryetari të ketë shërbyer si gjyqtar më parë, me qëllim që të mos penalizohen ata gjyqtarë të cilët nuk kanë diplomimin përkatës” - saktësoi Beja. Vetëm pak orë më parë Partia Socialiste pato bërë thirrje dje që paralelisht me reformën në drejtësi të ecet përpara me reformën zgjedhore në mënyrë që edhe ajo të mos mbetet reformë e minutës së fundit. Kryetarja e Grupit parlamentar në PS, Valentina Leskaj deklaroi se “të dyja këto reforma duhet të ecin paralelisht”. “Nëqoftëse reforma në drejtësi ka filluar ecjen e saj, reforma zgjedhore gjithashtu duhet të përshpejtohet”, tha ajo. Duke informuar mbi mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Leskaj theksoi se “në këtë mbledhje janë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi”. “Çështja e parë lidhet me ligjin për pushtetin gjyqësor, pra me projektin për pushtetin gjyqësor”, bëri të ditur Leskaj. Ajo vuri në dukje se është diskutuar edhe për ecurinë e Paktit për reformën në drejtësi. “PS ka ofruar një pakt dhe një plan veprimi për reformën në drejtësi, ndaj jemi të interesuar që ky pakt të zbatohet, në mënyrë që mbas miratimit të ligjit për pushtetin gjyqësor, reforma të vazhdojë edhe për sektorët dhe elementët e tjerë të sistemit të drejtësisë, siç është KLD, Prokuroria, apo elementë të tjerë”, tha Leskaj. Në këtë drejtim, ajo informoi se “do t’i propozohet mazhorancës, që plani i veprimit të miratohet në Parlament, në mënyrë që të marrë jo vetëm seriozitetin e duhur, por të ketë edhe të gjithë elementët e garancisë që reforma në drejtësi do të vazhdojë, por edhe për të shprehur seriozitetin ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”. “Ne nuk duhet të hyjmë në një garë paktesh, por nëqoftëse aktorët e tjerë, përfshirë mazhorancën ose forca të tjera politike që janë në opozitë, kanë opsionet, komentet apo mendimet e tyre, janë të mirëpritur që t’i reflektojnë në paktin tonë, i cili është në tavolinë dhe është i hapur”, theksoi Leskaj. Sipas saj, përveç rezolutës, e cila shpreh një vullnet politik, miratimi i Planit të Veprimit në Parlament është garancia më e madhe për të zbatuar, jo vetëm hapat përsa i përket paktit, por për të zbatuar dhe afatet kohore, të cilat janë shumë të rëndësishme përsa i përket reformës në drejtësi. “Mua më vjen mirë që Kryeministri ka vlerësuar Paktin e ofruar nga opozita dhe që e ka pranuar atë. Unë kam reaguar dhe herë tjetër dhe kam thënë, që ne nuk duhet të hyjmë në një garë paktesh, por nëqoftëse aktorët e tjerë, përfshirë mazhorancën ose forca të tjera politike që janë në opozitë, kanë opsionet, kanë komentet, kanë mendimet e tyre, janë të mirëpritur që t’i reflektojnë në paktin tonë, i cili është në tavolinë dhe është i hapur. i”- deklaroi Leskaj. Edhe kreu i depuetëve demokratë, Astrit Patozi e ka vlerësuar dje miratimin e këtij projektligji si një “hap i parë i domosdoshëm për reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›