Shqipëria njeh Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur
Republika e Shqipërisë ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran menjëherë pas njohjes nga ana e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, deklaroi se qeveria e Republikës së Shqipërisë e konsideron krijimin e Shtetit të Kosovës një ngjarje historike, që sanksionon të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të vetëvendosur dhe që e bën Ballkanin më të lirë, më të drejtë se kurrë në tërë historinë e tij shekullore. “Pavarësia e Kosovës i jep fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet europiane dhe euro-atlantike. Me shpalljen e pavarësisë, Republika e Kosovës bëhet një aktor i denjë në arenën ndërkombëtare, faktor madhor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euro-atlantik, faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e harmonizuar të rajonit të Evropës Juglindore”, tha Berisha.
Duke konfirmuar angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë, Berisha theksoi se qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Republikën e Kosovës, të ndërtuara historikisht dhe të forcuara në vijimësi, t’i zgjerojë dhe t’i thellojë më tej, duke e shtrirë dhe institucionalizuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, nëpërmjet vendosjes së një partneriteti të ngushtë. Ndërsa, sot Këshilli i Ministrave do të vendosë për ngritjen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, në nivel Ambasadori. “Qeveria e Republikës së Shqipërisë shpreh bindjen se shtetet anëtare të OKB-së do ta njohin Republikën e Kosovës si një kontribut real shtesë tjetër i tyre në paqen dhe sigurinë në Ballkan, duke respektuar kështu edhe vullnetin e ligjshëm të popullit të saj. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Shqipërisë konfirmon vullnetin e saj të plotë për marrëdhënie të mira e miqësore me të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe Republikën e Serbisë në perspektivën evropiane të vendeve tona”, deklaroi Berisha. Ndërkaq, duke u bazuar në Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë, datë 21 tetor 1991, në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 17 shkurt 2008 për shpalljen e Pavarësisë, bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, nisur nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, Berisha vuri në dukje se sot do të mblidhet Këshilli i Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërsisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh.
Berisha përshëndet njohjen që SHBA i bëri Kosovës/Kryeministri Berisha përshëndeti dje vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe përfundimet e takimit të sotëm të Bashkimit Europian. “Dua të përshëndes konkluzionet e Këshillit Europian, të përshëndes shumë përzemërsisht vendimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur. Përshëndes gjithashtu të gjitha deklaratat e bëra deri tani nga përfaqësuesit e vendeve të mëdha, Britanisë së Madhe, Francës e vendeve të tjera në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, deklaroi Berisha.
Berisha: Mirënjohje Britanisë së Madhe për mbështetjen ndaj çështjes së Kosovës/Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje, një takim me zonjën Patricia Nugee, dashamirëse dhe studiuese britanike e kulturës dhe historisë së Shqipërisë, si dhe koleksioniste e njohur e jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Znj. Nugee shprehu interesimin e saj për turizmin shqiptar, si dhe për arkitekturën e qyteteve dhe zonave bregdetare shqiptare. Kryeministri Berisha e përgëzoi znj. Nugee për punën e saj të apasionuar dhe të palodhur për të hyrë thellë në jetën dhe veprën e Skënderbeut, si dhe për të patur në koleksionin e saj mjaft libra të vjetër që dëshmojnë mbi jehonën dhe famën e këtij heroi kombëtar në mbarë perëndimin. Duke u nisur edhe nga interesimi i koleksionistes britanike për historinë dhe kulturën mbarëshqiptare, biseda u ndal edhe në ditën historike të pavarësisë së Kosovës, si respektim i aspiratave dhe vullnetit të qytetarëve të saj dhe të mbarë botës shqiptare. Me këtë rast, Kryeministri Berisha i shprehu znj. Nugee mirënjohjen e shqiptarëve për vendosmërinë dhe mbështetjen e qeverisë së Britanisë së Madhe në çështjen e Kosovës. Kryeministri Berisha dhe zonja Nugee u ndalën edhe në problemin e ndërtimeve në bregdet, nevojën për një arkitekturë të duhur dhe në përputhje me tipologjinë e bregut, si dhe me përpjekjet që duhen bërë nga institucionet përkatëse për respektimin e ambientit dhe relievit, duke ruajtur bukuritë dhe pasuritë natyrore shqiptare