E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve shtyn shfuqizimin e ligjit 7501

Komisioni i Ligjeve ka shtyrë dje miratimin e një amendamenti të propozuar nga deputeti Arian Madhi, për pushimin e veprimit të këtij ligji më datë 30 nëntor 2007. Deputetët e opozitës në komision kanë kërkuar të dhëna zyrtare në lidhje me përfituesit nga zbatimi i këtij ligji dhe personat që nuk janë trajtuar me tokë në bazë të tij. Një kërkesë kjo që është pranuar edhe nga anëtarët demokratë të komisionit. Deputeti Bashkim Fino, theksoi se shfuqizimi i ligjit 7501 nuk mund të bëhet kaq lehtë, pasi duhet parë së pari se sa familje kanë mbetur pa tokë. Sipas Finos, statistikat e paraqitura nga deputeti Madhi nuk mund të konsiderohen si të dhëna zyrtare dhe se për të informuar komisionin në këtë pikë duhet të thirret ministri përkatës. Kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi, deklaroi se "ligji 7501 'Për tokën' e ka humbur tashmë misionin e tij dhe është një relikte që i takon së shkuarës". Por komisioni nuk u shpreh për këtë ndryshim, pasi kërkoi një raportim nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit lidhur me gjendjen e fondit të tokës bujqësore. Komisioni i Ligjeve miratoi dy ditë më parë disa pika të tjera të projektligjit që synonte ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›