E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kurbani” i Ramës promovohet në Kosovë

“Kurbani” i Edi Ramës mbërrin në Kosovë. Turin e vet të takimeve promovuese të librit të tij me titull “Kurbani”, kreu socialist Edi Rama e ka vijuar edhe përtej kufijve zyrtarë të Shqipërisë, në Kosovë. Pas takimit që kreu me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, Rama është ndalur në Muzeun Kombëtar të Prishtinës, ku ka prezantuar librin e vet. Duke folur në këtë aktivitet, Rama edhe njëherë ka theksuar se libri është një rrëfim për 11 vitet e tij si drejtues i Bashkisë së Tiranës. “Libri është një rrëfim, që si çdo rrëfim pretendon të jetë historia e gjithpranuar dhe e vërteta e gjithsekujt. Është vetëm historia ime dhe e vërteta ime dhe jam i bindur që secili nga personazhet e librit po ta shkruante të njëjtën histori, do shkruante një histori tjetër dhe do të rrëfente një të vërtetë tjetër e ajo që unë besoj, ne të gjithë së bashku si shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë kemi nevojë jo të ndërtojmë të vërtetat e të tjerëve, por të rrëfejmë të vërtetat tona”, - tha Rama. Ndërkohë, i pranishëm në këtë takim ishte dhe analisti e publicisti, Shkëlzen Maliqi, i cili u shpreh se “e shoh si një kontribut të vyer dhe kuptohet që Ramës mund t`i bëjnë vërejtje për portretizimet e njëanshme të kundërshtarëve, sidomos të Sali Berishës dhe Fatos Nanos, dhe këto vërejtje i ka bërë në kritika, vetëm se unë portretizimet e Ramës ndaj Berishës dhe Nanos i shoh si politikisht dhe totalisht legjitime, sepse këta të dy janë personat kyç që e kanë penguar realizimin e vizionit të Edi Ramës për Tiranën”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›