Komisioni i Senatit: Goldman Sachs, sërish nën akuzë
Shefi i hetimeve në çështjen që ka të bëjë me gjetjen e shkaqeve që shkaktuan krizën e madhe financiare në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në botë, ka sulmuar rolin e bankës së investimeve në Wall Street, “Goldman Sachs”.
Senatori Carl Levin, në fjalën e tij foli për lakminë e madhe dhe të pamat që ka infektuar të gjithën komunitetin e Wall Street-it. Në fjalën e tij të hapjes, gjatë një seance dëgjimore në Washington, Levin tha se drejtuesit e lartë të bankës në fjalë kanë shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të madh ndaj qytetarëve amerikanë. Në këtë seancë dhe të tjera që do të vijojnë disa ekzekutivë të lartë të bankës, do të flasin para panelit për të dëshmuar në lidhje me akuzat që u janë ngritur. Deri më tani, ata që kanë dëshmuar i kanë mohuar të gjitha akuzat e bëra për veprime të padrejta në kurriz të njerëzve. Levin, që është vetë kryetar i Nënkomisionit të përhershëm të Senatit amerikan tha se “Goldman Sach” duhet që të mbante përgjegjësi për fatin e klientëve të saj, e megjithatë, sipas fakteve që ekzistojnë, kjo bankë vuri interesat e saj dhe përfitimet mbi interesat dhe përfundime e klientëve dhe të komuniteteve të mëdha të njerëzve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përdorimi i keq nga ana e saj i mjeteve ekzotike dhe të komplikuara financiare, ka ndihmuar shumë për përhapjen e të ashtuquajturave “kredi toksike” në të gjithë sistemin financiar. Dhe kur sistemi më në fund u përmbys nën peshën e madhe të këtyre kredive toksike, “Goldman” përfitoi shumë nga ky kolaps. Në këtë seancë morën pjesë me dëshmitë e tyre përfaqësues të lartë të ekzekutivit, të cilët përballen me akuzat e rënda të mashtrimeve me shuma të mëdha financiare ndaj palëve të treta. Drejtuesit e seancës i sfiduan krerët e bankës në lidhje me integritetin e tyre për sa i përket përgjegjësisë që duhet të kenë ndaj klientëve. Në përgjigjet e tyre, disa prej të cilave dukeshin shumë të frustruara, janë munduar që t’u shmangen përgjigjeve të drejtpërdrejta, por drejtuesi i seancës, duke përdorur edhe tone të ashpra, ka deklaruar se ai nuk e kishte me ngut dhe do të vazhdonte t’i pyeste drejtuesit e bankës, derisa atyre t’u mbushej mendja që të flisnin. Seanca e djeshme ka qenë e katërta e një serie seancash që janë përqendruar në çështjet që çuan në shkaktimin e krizës financiare të vitit 2008, e cila nisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me krizën e parë të kredive të pasurive të paluajtshme dhe më pas vazhdoi edhe në vende të tjera të botës, përmes të ashtuquajturit “efekti domino”. Seanca e djeshme u përqendrua në rolin që kanë luajtur në krijimin e krizës bankat e investimeve dhe specifikisht në rolin që luajti banka “Goldman Sachs”. Kjo seancë vjen pas akuzave që ka ngritur ndaj bankës në fjalë Komisioni i Sigurimeve dhe Shkëmbimeve. Sipas kësaj akuze, banka i ka futur me qëllim në qorrsokak klientët e saj, për të përfituar nga kriza.
#