E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rriturit e vegjël

Sipas një antropologu janë pjesa më e mirë e gjeneratës humane dhe ç’është më kryesorja, ata nuk kanë nevojë për të rriturit

Si në Perëndim, ashtu edhe në botën e tretë, për arsye të ndryshme fëmijët nuk është se ia kalojnë dhe aq mirë dhe ne të rriturit kemi shumë përgjegjësi për këtë gjë, sepse pretendojmë prej tyre që të jenë “të pjekur”, ose të sillen si të rritur. Asnjëherë nuk pajtohemi me idenë që janë fëmijë dhe kanë botën e tyre dhe kur është nevoja duhet t’i dëgjojmë. Në fakt duhet të gjejmë kohën për të qëndruar me ta, për të shkëmbyer mendime, në mënyrë që të rriten në një mënyrë tjetër. Kështu mendon një antropolog 66-vjeçar nga Torino. Pasi ka shëtitur pothuajse të gjithë botën dhe ka qëndruar për një kohë të gjatë në Afrikë, ka arritur në këtë përfundim: “Për sa i përket të vegjëlve nuk kanë nevojë për të rriturit, madje ata janë pjesa më e mirë e racës njerëzore”.

Në Jug të Sudanit, gjatë luftës, mijëra fëmijë të mbetur jetimë, organizoheshin në marshime të gjata, gjë që do t’i ndihmonte të shpëtonin. Në Kongo kishte 12-vjeçare të cilat konsideroheshin shtriga. Diaspora “e zezë” ka sjellë të njëjtat bindje edhe në Europë.

Antropologu nuk ka pasur fëmijë. Përvoja e tij nuk është e drejtpërdrejtë, por e bazuar mbi fushën shkencore, prej së cilës ka arritur në përfundimin që të vegjlit ia dalin mbanë kur nuk na kanë ne pranë.

Profesor, ju thoni se fëmijët janë në gjendje të organizohen vetë dhe në mënyrën më të mirë madje. Si është e mundur kjo?

Po, është e vërtetë, sepse gjejnë gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin, duhen, nuk kanë sjellje agresive. Krijojnë një botë të tyren që ne e perceptojnë, por asnjëherë nuk e kuptojmë.

Të rriturit u imponohen fëmijëve, sepse janë më të fuqishëm?

Në fakt, fuqia kulturore e fëmijëve e mposht forcën fizike të të rriturve. Ne kishim ku të mbështeteshim, ata nuk kanë besim te prindërit e tyre. Duket sikur thonë shpesh: “çfarë mund të pres nga ky njeri që nuk di të më japë asgjë dhe nuk i kupton asnjëherë fjalët e mia?”. Ne të rriturit duam që ata të bëhen të rritur perfektë.

Si duhet të jenë fëmijët perfektë?

Nuk duhet të kenë një histori të dhimbshme pas krahëve. Barack Obama ka thënë: “Nëse ulemi në këtë tavolinë dhe kujtojmë çdo gjë që na ka lënduar, nuk do të bëjmë asnjë hap përpara, në asnjë drejtim”.

Ju dukeni se e keni humbur vlerën e kujtesës...

çdo fëmijë ka kujtesë afatshkurtër: nuk ka shumë gjëra për të kujtuar, por në fakt u ngulitet gjithçka në kokë. Një kujtesë e shkurtër është më e thjeshtë për t’u mbajtur nën kontroll. Të jesh fëmijë është diçka shumë e bukur, jo vetëm për faktin se ke një trup të vogël, por edhe sepse ke mendje të kthjellët.

Kur fillon të ndryshojë situata?

Quhet “antropopoiesi”, fabrika e të rriturve. Fëmija nuk ka ende një identitet. Ne të rriturit kemi bindjen që historia ndalon, ndërkohë që për fëmijët, dita e nesërme është gjithmonë ndryshe nga e djeshmja. Në kulturat jashtë botës perëndimore, shtypja kulturore është jashtëzakonisht e dhunshme, fillon që ditën e parë që lind dhe përfundon ditën që vdes. Nuk pranohen kultura ekstreme siç është homoseksualiteti. Një fëmijë nuk është as burrë dhe as grua. Gjërat e tij kristalizohen kur fillon të rritet.

Po në botën perëndimore, si funksionojnë gjërat?

Kemi miliona koncepte dhe pak metoda ku të mbështetemi. Megjithatë nuk janë koncepte themelore për mbijetesën. Bota jonë është më e pasur, por jo e bashkuar. Individualizmi na ndihmon të mbijetojmë në grup.

Cili model është i preferuar, i vendeve perëndimore apo i botës së tretë? Cila i jep më liri fëmijëve?

Askush nuk është krejtësisht i lirë: duhet t’i referohemi gjendjes së lirisë, që mund të ndërtohet si sistem. Në Perëndim e kemi zëvendësuar zgjedhjen natyrore me atë kulturore: tani lindim vetëm një fëmijë dhe ai duhet të jetë perfekt. I ngarkojmë përgjegjësi të mëdha dhe ai nuk duhet të gabojë. Nuk mundet të gabojë.

Profesor, po ju çfarë propozoni?

Duhet të ketë bashkëpunim mes prindërve dhe shoqërive. Në shumë vende afrikane është një i afërm që kujdeset dhe ndihmon fëmijën, por nëse është e nevojshme edhe e ndëshkon. Në Europë, kur një fëmijë gabon, kam dëgjuar shumë prindër të cilët thonë: “Po ky dreq fëmije pse nuk dëgjon. çfarë i mungon?”.

ç’lidhje duhet të ketë në marrëdhënien të rritur-fëmijë?

Ti më mëson, unë gjithashtu. Si antropolog, mendoj se nuk kam ç’të mësoj nga fëmijët. E di që kam mendim të gabuar. Megjithatë kam dëgjuar nga shumë njerëz se nga fëmijët mëson shumë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›