Komisioni i Sigurisë: “Po” blerjes së 5 helikopterëve
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami u shpreh se blerja e këtyre helikopterëve, është detyrim si anëtare që ka Shqipëria ndaj NATO-s.“Blerja është bërë për forcat paqeruajtëse dhe parashikohet si një detyrim i NATO-s. Por helikopterët, duhen edhe për emergjenca civile”, theksoi ministri Imami. Opozita e ka kundërshtuar këtë blerje, sipas saj me një çmim shumë të lartë për buxhetin e Shqipërisë. Kontrata e hartuar tashmë nga qeveria shqiptare, parashikon blerjen e 5 helikopterëve ushtarak shumë-rolësh nga kompania evropiane EuroCopter, me një vlerë prej 78 milionë euro. Kontrata, parashikon një pagesë me këste nga qeveria shqiptare që do të shtrihet deri në vitin 2013. Qeveria thotë se e ka fuqinë paguese për një blerje të tillë për shkak të rritjes se buxhetit për ushtrinë i cili tani kap 2 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Helikopterët e rinj janë të tipit Cougar-AS532 të versionit ushtarak, të familjes SuperPuma.