Komisioni i Venecias: Shkrirja e KQZ kusht për zgjedhje të lira, ja formulat

Pasi u vu në lëvizje nga Sekretari i Përgjithshëm e KiE, Komisioni i Venecias ka bërë një analizë për zgjedhjet e 8 Majit, ndërsa ka dhënë edhe disa rekomandime për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Në raportin e hartuar nga dy anëtarë, një ekspert i Komisionit të Venecias si dhe një ekspert i ODIHR, thuhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet rreziku më serioz për zgjedhjet në Shqipëri.
Duke rekomanduar në plan të parë shkrirjen e KQZ, Komisioni i Venecias kërkon që mos të përsëritet ajo që ndodhi në Tiranë më 8 Maji, kur rezultati u përmbys në tavolinë nga partia në pushtet. Për Venecian, sfida kryesore është rikompozimi i KQZ dhe depolitizimi i administratës zgjedhore.
“Sfida kryesore mbetet largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jo politik dhe të paanshëm.
Ky ndryshim është i domosdoshëm nëse kërkohet të ulet polarizimi dhe konfliktet në administratën zgjedhore”, thuhet në raport.