Komisioni i Venecias: Shkrirja e KQZ, zgjedhje të lira
Komisioni i Venecias ka bërë një analizë për zgjedhjet e 8 Majit, ndërsa ka dhënë edhe disa rekomandime për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Në raportin e hartuar nga dy anëtarë, një ekspert i Komisionit të Venecias si dhe një ekspert i ODIHR, thuhet se KQZ mbetet rreziku më serioz për zgjedhjet në Shqipëri.
“Pas problemeve të mëdha që u vunë re me numërimin e votave në Tiranë, dhe veçanërisht me ato të hedhura në kutitë e gabuara, propozohen ndryshime dhe qartësime në procedura, duke kërkuar përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve. Po ashtu, sugjerohet që të specifikohet qartësisht se si duhet të veprohet në rastet kur votat dhe kutitë me materiale merren në dorëzim si të rregullta e pastaj dalin me problem serioze.
Për Venecian, sfida kryesore është rikompozimi i KQZ-së dhe depolitizimi i administratës zgjedhore.
Sfida kryesore mbetet largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jo politik dhe të paanshëm.
Në dokumentin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, saktësohet se një peshë të madhe ka vullneti i forcave politike për të zbatuar ligjet.
“Duke ju referuar diferencës shumë të vogël të votave në garën për Bashkinë e Tiranës saktësohet se çdo detaj kthehet potencialisht vendimtar dhe detyra e administratës zgjedhore, që të veprojë në mënyrë të paanshme, është jetike.