Transportonte drogë me çantë shpine, arrestohet 23-vjeçari
Gjirokastër-Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë goditur së fundi një rast të transportit dhe trafikimit të lëndëve narkotike me çanta shpine. Gjatë veprimeve të tyre agjentët e antidrogës kanë ndaluar një 33-vjeçar nga Elbasani dhe kanë sekuestruar rreth 3 kilogramë marijuanë, të cilën ai po e transportonte me çantë shpine. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, operacioni antidrogë është zhvilluar në vendin e quajtur NSHN, në hyrje të qytetit të Gjirokastrës. “Ne dispononim informacione të marra në rrugë operative se një person kishte blerë në fshatin Lazarat një sasi lënde narkotike për ta trafikuar më pas me mjete të transportit publik në drejtim të zonës së Elbasanit”, - thonë specialistët e antidrogës në Gjirokastër. I dyshuari është identifikuar nga policia në zonën e NSHN-së, ndërsa me një çantë shpine në krah priste autobusin për të udhëtuar më pas për në Elbasan. Policia porsa ka konstatuar praninë e tij, ka bërë shoqërimin për në Komisariatin e Gjirokastrës të personit të dyshuar si dhe bllokimin e çantës së shpinës që ai kishte me vete. Gjatë intervistimit nga specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve, i dyshuari është identifikuar si Emiljano Kasa 23 vjeç, lindur dhe banues në Cërrik, Elbasan, ndërkohë që gjatë kontrollit në çantën e shpinës policia ka gjetur tri pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme, ku brenda tyre kishte në total rreth 3 kilogramë marijuanë. Mbi bazën e provave të mbledhura antidroga e Gjirokastrës ka bërë ndalimin e 23-vjeçarit Kasa për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve“. Sipas burimeve në grupin hetimor, i ndaluari ka qenë i dënuar edhe më parë në Greqi me 4 vjet heqje lirie për shpërndarje të lëndëve narkotike. B. Shehu