E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni miks për dialogun anglikano – orthodhoks, në Shqipëri

TIRANË- Komisioni Miks për Dialogun Anglikano- Orthodhoks zhvilloi punimet për herë të parë në vendin tonë, në datat 16- 23 shtator, në mjediset e Manastirit të Ri të Shën Vlashit dhe të Akademisë Teologjike "Ngjallja e Krishtit”, pranë Durrësit, bëri të ditur zëdhënësi i Kishës Orthodokse shqiptare.
Të dielën, 18 shtator, miqtë nga Kishat Orthodhokse dhe Anglikane morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, në Kishën "Ungjillëzimi i Hyjlindëses", në Tiranë. Disa nga Hierarkët orthodhoksë bashkëcelebruan me Hirësinë e tij Andonin, Episkop i Krujës.

Midis dy Kishave ka pasur marrëdhënie miqësore që prej disa shekujsh, por ky dialog teologjik i drejtpërdrejtë ka nisur që nga viti 1973, në Oksford. Rrjedhojë kanë qenë tre raporte, për tema teologjike me interes të përbashkët.

Tani ka nisur një fazë e re, ku po diskutohet për përgjegjësinë e të krishterëve për Krijesën e Perëndisë dhe për mjedisin, si dhe për përgjegjësinë e tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›