Sherefedin Shehu: “INSIG-u privatizohet brenda këtij viti”
Privatizimi i “INSIG” do të kryhet brenda këtij viti. Kështu ka deklaruar dje zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili në detaje sqaroi se aktualisht po kryhet vlerësimi i aseteve të kompanisë. “Kompania audituese KPMB, po teston gjendjen e aseteve të INSIG-ut dhe mbi bazën e kësaj përllogaritjeje do të përcaktohet edhe vlera për privatizim”, -ka deklaruar Shehu. Njoftimi publik për shprehjen e interesit për këtë kompani është bërë pak ditë më parë në gazetën “Financial times” dhe deri në fund të muajit të ardhshëm do të pritet interesi i investitorëve të mundshëm. Ndërkohë që është parashikuar që privatizimi i “INSIG”-ut të mbyllet brenda këtij viti. Sipas Shehut, “praktikisht qeveria ka bërë njoftimin publik për shprehjen e interesit në “Financial times” kështu që presim që brenda datës 20 gusht të marrim ofertat dhe të shikojmë se çfarë interesi ka për privatizimin e tij”. Paratë që do të sigurohen nga privatizimi i “INSIG” do të shkojnë kryesisht për financimin e rrugës Durrës-Kukës. Deri në fund të këtij muajit, pritet që kompania audituese “KPMG” të dorëzojë raportin për vlerësimin e aseteve të “INSIG”-ut. Mbi bazën e këtij raporti qeveria do të përcaktojë një nivel minimal dhe maksimal për shitjen e kompanisë, të cilët do të shërbejnë si çmime reference.
BB: “Fermerët shqiptarë mund të përfitojnë nga kriza botërore e ushqimeve”
Sipas radios “Deutsche Ëelle”, Banka Botërore po zbaton në Shqipëri një projekt në fushën e bujqësisë, për riaftësimin e tërë sistemit të ujitjes. Nga ky projekt kanë përfituar fonde të konsiderueshme edhe disa prej rretheve më të mëdha veriore. Drejtori i menaxhimit të projektit të Bankës Botërore për ujitjen, Hajri Ismaili tha se: "Nga ky projekt janë riaftësuar disa qindra kilometra kanale-ujitëse dhe shumë diga e rezervuare, duke ndihmuar në garantimin e prodhimit bujqësor të fermerëve të kësaj zone. Sipas tij, Rrethi i Shkodrës është rrethi më i mbështetur nga projekti i Bankës Botërore, ndërkohë që ai i Tropojës ka përfituar mbi 2 milionë dollarë, po nga ky projekt. Ndërsa Rrethi i Dibrës ka përfituar sipërfaqe të mëdha rehabilitimi, dhe ai i Lezhës, është rrethi që së bashku me Shkodrën, Elbasanin dhe Korçën, përbëjnë 40 për qind të investimeve që ka bërë projekti i Bankës Botërore për rehabilitimin në rang vendi". Ai theksoi se "është koha kur fermerët duhet t`i kushtojnë tepër rëndësi mirëmbajtjes së sistemit të ujitjes”. Tregu botëror i ushqimeve po njeh një rritje të shpejtë, gjë që duhet të shfrytëzohet nga fermerët shqiptarë, për të shtuar prodhimin për tregun vendas dhe atë të huaj njëkohësisht.
23 Korrik 2008