Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik fillon shqyrtimin e projektligjit Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006 Për librin në Republikën e Shqipërisë.
Në mbledhjen e datës 27 tetor 2009, ora 11.00, Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik filloi diskutimin në parim të projektligjit Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006 Për librin në Republikën e Shqipërisë, në prani të specialistëve të Drejtorisë së Arteve dhe Letrave në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sportit.
Qëllimi i ndryshimeve dhe shtesave të propozuara nga Ministria ka të bëjë me nevojën për përshtatjen me zhvillimet e reja në përgjithësi, veçanërisht në fushën e botimeve. Këto ndryshime synojnë thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shtetit dhe botuesve e shkrimtarëve, si dhe krijimin e një ekuilibri sa më të qendrueshëm ndërmjet dy aspekteve themelore që ka koncepti për librin: si produkt i mirëfilltë kulturor dhe si mall, objekt biznesi.
Ndryshimet e propozuara në këtë projektligj konsistojnë në:
- zëvendësimin e përfaqësuesit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve me një përfaqësues të Fakultetit të Histori Filologjisë, Departamenti i Letërsisë;
- parashikimin për mbështetjen me literaturë nga Fondi Kombëtar i Librit të grupeve të veçanta të shoqërisë, si fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, minoritetet;
- ndryshimin e mënyrës së licencimit;
- ndryshime në nenin për kundërvajtjet administrative.
Këto ndryshime kanë për qëllim edhe përafrimin me modelet më të mira, që zbatohen sot në vendet më të zhvilluara.
Pas diskutimeve, Komisioni u shpreh pro miratimit në parim të projektligjit Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006 Për librin në Republikën e Shqipërisë.