E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton katër projektligje dhe një marrëveshje.

 

Në mbledhjen e datës 26 janar 2009, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi këto çështje:
- Projektligji Për disa ndryshime në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, i cili propozon uljen e masës së kontributit të sigurimeve shoqërore, e cila paguhet nga punëdhënësi, me qëllim rritjen e numrit të të punësuarve, rritjen e numrit të punësuarve, të kontribuesve, etj. 
- Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës së Greqisë, e cila shlyen borxhin e prapambetur ndaj Greqisë.

Gjithashtu, për votim, të mbetur nga mbledhja e shkuar ishin edhe këto projektligje:
- Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, Për taksat kombëtare; i cili propozon heqjen e taksës së pullës, për të lehtësuar pagesën e qytetarëve për kartat e identitetit. Efekti në buxhet do të jetë 317 milionë lekë, efekt negativ.
- Për një ndryshim në ligjin nr.8976, datë 12.12.2002, Për akcizat, të ndryshuar, i cili rrit akcizën për produktet e naftës, si dhe të llambave inkandeshente, duke e përcaktuar me tarifë fikse, sipas legjislacionit të EU-së.
- Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995, Për tatimin mbi vlerën e shtuar, të ndryshuar:, i cili përjashton nga pagimi i TVSH-së kartat e identitetit.

Të ftuar në mbledhje ishin Zëvendësministri i Financave, Florion Mima dhe specialistë të kësaj ministrie.

Deputetët e opozitës kundërshtuan të gjithë projektligjet fiskale, duke arsyetuar se: ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore është një masë elektorale dhe nuk sjell masa pozitive në drejtim të punësimit, apo të rritjes së kontribuesve; nuk duhet hequr taksa e pullës, por duhen bërë klasifikimeve të grupeve në nevojë, duke paguar një tarifë me të vogël; përjashtimi nga TVSH-ja është një masë që i vjen në ndihmë kompanisë që do të prodhojë kartat e identitetit dhe jo publikut.

Në fund të mbledhjes, marrëveshja u miratua me të gjitha votat pro, ndërsa katër projektligjet e tjera, me 9 vota pro dhe 5 kundër.


 (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›