Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton marrëveshjen e huasë me KFW-në
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 26 janar 2009, shqyrtoi projektligjin: Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe KFW-së, për financimin e projektit "Programi për furnizimin me ujë të zonave rurale (faza 2)"".
Në mbledhje ishin të pranishme përfaqësueset e Ministrisë së Financave, Brikena Jazxhi dhe Xhorlin Pojani, si dhe përfaqësuesi i FSHZH-së, Nikolla Jorgo.
Përfaqësuesi i FSHZH-së shpjegoi se kjo marrëveshje, e cila është është nënshkruar në 23 dhjetor 2008, ka si qëllim financimin e projektit të furnizimit të qëndrueshëm, sasior dhe cilësor me ujë të pijshëm të popullsisë të zonave rurale të Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit.
Kredia që do të shfrytëzohet për të financuar punimet e infrastrukturës, shërbimet e projektimin e supervizionit dhe detyrimet e FSHZH-së për administrimin e projektit, është me termat e mëposhtëme:
Shuma 1 500 000 euro;
Interesi 2 % në vit;
Maturimi 30 vjet;
Periudha pa pagesë principali 10 vjet.
Kohëzgjatja e gjithë programit shkon rreth 6 vjet.
Fondet do të transferohen në FSHZH në formën e grantit, nëpërmjet një marrëveshjeje të veçantë që do të lidhet për këtë qëllim ndërmjet FSHZH-së dhe Ministrisë së Financave.
Institucionet përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes janë Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve.
Në përfundim të diskutimeve, Komisioni u shpreh dakord në parim për kalimin e kësaj marrëveshje për miratim në seancë plenare.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 293).