Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës promovojnë produktet ushqimore vendase, në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese
Studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës ishin sot pjesëmarrës në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Industrisë dhe Veprimtarisë Prodhuese, ku mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Studentët zgjodhën këtë takim me Kryetaren e Kuvendit dhe deputetët e Komisionit, për të promovuar disa produkte ushqimore vendase, si mënyrë për të tërhequr vëmendjen e deputetëve dhe Qeverisë, në mbështetje të prodhimit bio.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i përgëzoi studentët për nismën që ata kanë ndërmarrë për të promovuar prodhimin shqiptar në institucionet më të rëndësishme si dhe në mjediset publike.
Ajo u shpreh se Parlamenti dhe Qeveria po tregon një vëmendje të veçantë për industrinë dhe prodhimin kombëtar, veçanërisht në sektorin e Bujqësisë.
Kuvendi ka patur ndër prioritetet e punës së tij hartimin dhe miratimin e ligjeve që nxisin produktet vendase si dhe eksportimin e tyre në tregjet rajonale e ndërkombëtare.
Një nga çështjet më të diskutueshme nga deputetet në seancë, mbetet zhvillimi i bujqësisë, nëpërmjet politikave që mbështesin prodhimet bio në vend- tha ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit, e cila garantoi mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për projekte të tilla të studentëve, dhe në të ardhmen.
Biseda mes studentëve dhe deputetëve u përqendrua në promovimin e produkteve shqiptare dhe dhënien e hapësirës se duhur për këto prodhime, brenda dhe jashtë vendit.