E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton ndryshime në ligjin për TVSH-në.

Në mbledhjen e datës 19 janar 2010, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995 Për tatimin mbi vlerën e shtuar të ndryshuar, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave.
Ndryshimet dhe shtesat e propozuara prekin disa nene dhe kanë të bëjnë me:
 
1. Delegimin e caktimit të kufirit minimal të regjistrimit, për të qenë person i tatueshëm me tatimin e vlerës së shtuar, Këshillit të Ministrave, kufi, i cili është miratuar në vlerën 5 milionë lekë që prej 1 janarit 2010;
 
2. Riformulimin e nenit 7, për procedurat e çregjistrimit të bizneve si subjekte të TVSH-së, që mund të kryhet vetëm nëse subjekti mbyll aktivitetin apo nuk do të kryejë më furnizime të tatueshme;
 
3. Ndryshimin e nenit ku flitet për furnizimet e përjashtuara;

4. Përjashtimin nga TVSH-ja të institucioneve arsimore, publike dhe private. Kjo, do të ulë tarifat që paguajnë nxënësit dhe studentët, pasi ata janë paguesë realë të TVSH-së prej 20%. Kjo shtesë do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2010;
 
5. TVSH-ja në masën 0%, do të trajtohet si furnizim i përjashtuar;.
 
6. Parashikimin e ndryshimeve për TVSH-në, për materialet ushtarake të importuara për Forcat e Armatosura, të dhuruara nga vendet e NATO-s, apo partnerët.
Ndryshimet dhe shtesat e propozuara janë shfaqur të nevojshme gjatë zbatimit të ligjit dhe synojnë shmangien e kreditimit të padrejtë të TVSH-së, reduktimin e evazionit fiskal dhe lehtësimin e procedurave administrative për tatimpaguesit dhe administratën tatimore. Gjithashtu, ajo janë  në përputhje me direktivën e BE-së, ku këto kategori furnizimesh trajtohen si furnizime të përjashtuara, pa të drejtë kreditimi.
 
Komisioni e miratoi projektligjin me të gjitha votat pro, pa ndryshime.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›