E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret përfaqësuesin e Fondacionit “Konrad Adenauer” për vendin tonë.

26 janar 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë, përfaqësuesin e Fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri, zotin Vilibold Frener, zyra e të cilit do të hapet zyrtarisht edhe në Tiranë javën që vjen.

Kreu i shtetit shqiptar, pasi i uroi mirëseardhjen, vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet tradicionale dypalëshe tashmë të konsoliduara mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke nënvizuar faktin që tashmë ka nevojë të zgjerohen e të thellohen edhe marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme të dhënë nga shteti gjerman gjatë viteve të tranzicionit demokratik në vendin tonë dhe vlerësoi hapjen e një Fondacioni të themeluar qysh më 1956, që mban emrin e kancelarit të parë gjerman, edhe në Shqipëri, gjë që do të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve edhe në fusha të ndryshme si politika, kultura, shkenca, arsimi, etj.

Nga ana e tij, përfaqësuesi zyrtar, zoti Vilibold Frener pasi e falenderoi Presidentin Topi për pritjen, bëri një ekspoze të shkurtër të punës dhe aktivitetit të Fondacionit “Konrad Adenauer”. Zoti Frener vuri në dukje dhe parashtroi disa nga objektivat e aktivitetit të Fondacionit në Shqipëri që do të shtrihet në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-gjermane, në fushën e politikës dhe rritjes së kulturës demokratike, në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, në shkëmbimet kulturore, arsimore, etj.

Gjithashtu përfaqësuesi zyrtar i Fondacionit “Konrad Adenauer” i shprehu Presidentit Topi mbështetjen e plotë për aspiratat integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe theksoi faktin që hyrja e vendit tonë në gjirin e familjes së madhe evropiane nuk ka asnjë dyshim, por është thjesht çështje kohe.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›