E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton një marrëveshje të rëndësishme

Komisoni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe të evazionit fiskal për taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin. Shqyrtimi i kësaj marrëveshjeje në këtë Komision, vjen pas miratimit nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Marrëveshja luan një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet të dyja vendeve.
Dispozitat e marrëveshjes, të cilat kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dyja vendeve, përcaktojnë mënyrat se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë ndërmjet dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë.
Gjithashtu, marrëveshja ka dispozita në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë veprimtari në të dyja vendet. Komisioni u shpreh unanimisht dakord për kalimin e këtij projektligji për miratim në seancë plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›