E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot një seancë dëgjimore për projektligjin Për Faljen

Komisioni për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Ministrin e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, përfaqësues nga Shoqëria Civile si dhe palë të interesuara lidhur me projektligjin Për Faljen. Gjatë prezantimit të këtij projektligji, Ministri i Drejtësisë theksoi se përmes tij synohet përcaktimi i kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Ministri i Drejtësisë theksoi se një mjet i rëndësishëm në këtë drejtim janë isntrumentet kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social. Në këtë projektligj parashikohet një raport i posaçëm ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë. Në këtë kontekst, Ministri i Drejtësisë sqaroi se qëllimi kushtetues është i qartë dhe një dualitet i tillë kompetencash balancon pushtetet si dhe i shërben më së miri ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesave të shtetasve nga pushteti. Në vijim, përfaqësues të palëve të interesuara, si Avokati i Popullit, Dhoma e Avokatisë etj vlerësuan këtë nismë si të domosdoshme për përcaktimin e kritereve konkrete në dhënien e faljes. Gjithashtu, ata dhanë edhe sugjerime dhe propozime të tyre lidhur me çështje teknike të projektligjit. Pasi dëgjuan të ftuarit lidhur me projektligjin në fjalë, anëtarët e Komisionit të Ligjeve zhvilluan një diskutim të hapur duke shkëmbyer opinione mbi strukturën legjislative të tij duke vlerësuar rëndësinë e tij në kuadër të reformës në drejtësinë penale. Për hartimin e projektligjit janë marrë parasysh një pjesë e madhe e vërejtjeve të disa institucioneve, të misionit Euralius II dhe të Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave Personale. Më pas, Komisioni i Ligjeve vendosi vijimin e shqyrtimit për këtë projektligj në mbledhjen e tij të radhës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›