E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komisioni për Mjetet e Informimit Publik miraton ndryshime në projektbuxhet, më shumë mbështetje për RTSH

Me propozim të maxhorancës, Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ka miratuar disa ndryshime në projektbuxhetin e vitit 2026, duke parashikuar më shumë mbështetje për disa institucione, përfshirë edhe Radio Televizionin Publik Shqiptar.

Anëtarja socialiste, Etleva Budini, tha se ndryshimet synojnë rritjen e eficencës së punës së institucioneve dhe përfshirjen e projekteve të nevojshme.

“Për Radio Televizionin Shqiptar, përfaqësuesit e këtij institucioni kërkuan që të merren parasysh shtesat si vijon: për shpenzime korrente, në vlerën 192 mln lekë sipas programeve “Shqiptarët jashtë kufirit” dhe “gjuhët e huaja” në vlerën 90 mln lekë, prodhime filmike dhe artistike në vlerën 20 mln lekë, projekte teknike në vlerën 82 mln lekë dhe për shpenzime për investime në vlerën 1.2 mld lekë për një periudhë 3-vjeçare, ku vetëm për vitin 2026, shtesa e përllogaritur për dixhitalizimin e arkivës arrin në 200 mln lekë”, tha Etleva Budini.

Propozimi i Budinit u mbështet edhe nga anëtari tjetër socialist i këtij komisioni, Ardit Bido.

“Ti propozojmë te komisioni përgjegjës që të ketë mbështetje për institucione si Avokati i Popullit, Radio Televizioni Publik. Kur vjen puna te Radio Televizioni Publik, dua të theksoj se mbështetja për investime sa i përket dixhitalizimit të arkivës, por edhe me mbulimin me sinjal në të gjithë Republikën e Shqipërisë është një imperativë. Radio Televizioni Publik, funksionin e vet parësorë ka mbulimin e të gjithë territorit. Kemi zona të tëra në të gjithë Shqipërinë që janë të pambuluara  me sinjal”, theksoi Bido.

Me miratimin e tyre në këtë komision, pritet që këto ndryshime t’i propozohen më pas Komisionit të Ekonomisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›