E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton projektrezolutën për punën e Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2009

Pas raportimit përpara komisionit, një javë më parë, kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta iu përgjigj sot pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, kryesisht të përqëndruara në performancën e OSSH-së pas privatizimit, monitorimin e kaskadës së Drinit, hartimin e një kalendari të shtimit të energjisë nga gjeneruesit e vegjël, etj. Në vijim, anëtarët e Komisionit morën në shqyrtim projektrezolutën e hartuar për vlerësimin e punës së këtij institucioni. Projektrezoluta, ndër të tjera, vlerëson si shumë të rëndësishëm rolin e Entit Rregullator të Energjisë në mbikëqyrjen e funksionimit të tregut të energjisë elektrike dhe të gazit natyror, i cili po zgjerohet e zhvillohet gjithnjë e më shumë; shpreh mbështetje për vizionin e Qeverisë për garantimin e një sigurie të lartë e afatgjatë në furnizimin me energji elektrike nëpërmjet shfrytëzimit me përparësi të rezervave hidroenergjetike të vendit si dhe diversifikimit të burimeve gjeneruese termo, eolike e solare; vlerëson konsolidimin e furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike, të konsumatorëve gjatë vitit 2009; njeh rëndësinë e futjes në shfrytëzim të burimeve të reja gjeneruese në sektorin e energjisë elektrike, si për sa i përket diversifikimit të natyrës së prodhimit të energjisë elektrike, edhe për sa i përket sigurimit të furnizimit të vendit me energji, etj. Krahas vlerësimit, në projektrezolutë, ndër të tjera, kërkohet që ERE të vazhdojë ti kushtojë vëmendje mbikëqyrjes së tregut të energjisë elektrike; të mbikqyrë përformancën e OSSH sha (CEZ sha), si mënyrë për garantimin e përmirësimeve të nevojshme në tregun e energjisë elektrike dhe sigurimin e mbrojtjes së konsumatorit, të punojë për përmirësimin e situatës në sektorin e gazit natyror, duke u angazhuar edhe në hartimin e legjislacionit përkatës; të vazhdojë të insistojë për promovimin e alternativave të investimit në burime të rinovueshme të energjisë, etj.

Komisioni ra dakord që projektrezoluta të paraqitet për miratim në seancë plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›