E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi sot nen për nen ndryshimet në projektligjin Për Dokumentin Elektronik.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u mblodh sot për të diskutuar nen për nen ndryshimet në projektligjin Për Dokumentin Elektronik, i cili ka për qëllim krijimin e nevojshëm të kuadrit ligjor për njohjen dhe përdorimin e dokumenteve elektronike në vend. Konkretisht, ky projektligj rregullon të drejtën e personave, fizikë dhe juridikë, për të përdorur dokumentin elektronik në të gjitha veprimet e tyre juridike, për shkak të veprimtarisë që ata ushtrojnë, si dhe në marrëdhëniet me autoritetet publike, atëherë kur programet dhe pajisjet elektronike mundësojnë realizimin, prodhimin, transmetimin, ruajtjen dhe sigurinë e informacionit të dokumenteve në formën elektronike. Po ashtu ky projektligj synon rregullimin e marrëdhënieve përsa i përket vlefshmërisë ligjore të përdorimit dhe qarkullimit të dokumentit elektronik. Ndryshimet e bëra në këtë projektligj u prezantuan nga zëvendësministri i Shtetit, Visho Ajazi. Pas këtyre diskutimeve, anëtarët e Komisionit të Ligjeve bënë disa sugjerime mbi riformulimin e disa neneve të këtij projektligji. Në këtë kuadër u vendos që riformulimi i neneve të kërkuara nga Komisioni i Ligjeve do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës së këtij komisioni dhe pas miratimit nen për nen projektligji do të kalojë për votim në seancë plenare. Hartimi i projektligjit, Për Dokumentin elektronik është bërë në frymën e përgjithshme dhe në përputhje me orientimet dhe rregullat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›