E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon seancë dëgjimore me Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

  Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 10.11.2009, në orën 10:00, zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi në kuadër të shqyrtimit të  Progres-Raportit  2009.   Fillimisht, u dëgjua  informacioni i Ministrit Olldashi, I cili shpjegoi se, në kuadër të shqyrtimit të  Progres-Raportit  2009, janë analizuar dhe janë nxjerë detyra sipas sektorëve që mbulon  kjo ministri.   Progres-Raporti vlerëson  në mënyrë  pozitive  reformat rregullatore që ka ndërmarrë MPPTT si dhe realizimin e projekteve konkrete veçanërisht në sektorin rrugor. Kritikat janë bërë kryesisht për sektorin hekurudhor.   Në raport përmendet ulja e numrit të aksidenteve rrugore nga viti 2007 e në vazhdim, megjithatë sugjerohet përmirësimi i sinjalistikës rrugore. Për këtë janë marrë masa në bashkëpunim me institucione dhe organizata të tjera.   Në dhjetor të vitit 2008, në mbledhjen e Ministrave të Transportit të rajonit mbajtur në Mal të Zi, është miratuar  plani i përbashkët rajonal i veprimit  për sektorin hekurudhor. Janë zbatuar disa   detyrime  të  MSA-së për këtë sektor.   Gjatë këtij viti është punuar shumë për rritjen e sigurisë së anijeve, e cila ka qënë një nga pikat më të dobëta në të kaluarën.   Përsa i përket transportit detar, po përgatiten aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin ligjit Për administratën detare. Siguria në porte është një nga pikat ku është ecur më mirë gjatë këtij viti. Kanë filluar  një sërë projektesh për përmirësimin e infrastrukturës portuale.   Progres-Raporti 2009 ka bërë një vlerësim pozitiv përsa i përket  transportit ajror. Në dhjetor të vitit 2008 u miratua Kodi Ajror. Po punohet  për përafrimin e legjislacionit  tonë me atë të BE-së, si dhe për plotësimin e tij me akte nënligjore.   Po punohet  për plotësimin me akte  nënligjore të ligjit  Për disa shtesa dhe ndryshime  në ligjin Për shërbimin postar në R.Sh.   Në qershor të vitit 2009, u zhvilluan konsultime me grupet e interesit për hartimin e draftit të dokumentit të  politikave në fushën e komunikimeve elektronike.   Në raport vlerësohen zhvillimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Po punohet me Bankën Botërore  për strategjinë  e furnizimit me ujë të pijshëm.   Përsa i përket menaxhimit të mbetjeve sipas standardeve të BE-së, janë planifikuar fonde për të gjithë qytetet turistike. Janë në zbatim tre projekte.   Ministri Olldashi deklaroi se marrëveshja detare me Greqinë,  nuk cenon korridoret e transportit, duke hedhur poshtë argumentet e disa specialistëve se Greqia merr disa kilometra det, me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.   Mbledhja vijoi me pyetjet e deputetëve për Ministrin. Pas dëgjimit të përgjigjeve të tij, Kryetari i Komisionit falënderoi zotin Olldashi dhe e siguroi atë se do të ketë gjithmonë mbështetjen e Komisionit.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›